TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e Federatës Shqiptare të Futbollit 2025 mbajti punimet këtë të mërkurë në “Shtëpinë e Futbollit”, duke bërë bashkë të gjitha strukturat përfaqësuese të futbollit shqiptar.
Nën drejtimin e presidentit të FSHF, Armand Duka dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHf-së, në këtë Asamble mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përfaqësuesi i FIFA-s, Marco Ferri, përfaqësuesi i FIFA-s, Jozef Kliment, si dhe anëtarët dhe delegatët e shoqatave anëtare.
Në fjalën e tij përshëndetëse Duka foli për kualifikimin e Kombëtares në kampionatin Evropian “Gjermani 2024”.
“Për herë të dytë në historinë tonë 95-vjeçare, brenda një periudhe prej vetëm 8 vitesh, u kualifikuam në finalet e një Kampionati Europian, pasi u renditëm të parët në grupin kualifikues.
“Shorti na vuri përballë kundërshtarëve të fortë: kampionëve në fuqi të Evropës – Italisë; nënkampionëve të Botës-Kroacisë; dhe ekipit që në fund do të fitonte Kampionatin Evropian – Spanjës.
“Çdo gjë u përgatit me shumë kujdes dhe profesionalizëm nga administrata e FSHF-së. Organizimi, akomodimi dhe të gjitha elementet e tjerë iu përgjigjën denjësisht nivelit të këtij kampionati të rëndësishëm. Ekipi zhvilloi fazën përgatitore në Austri dhe më pas në Gjermani. Në qendrat stërvitore të ekipit u krijuan të gjitha kushtet e akomodimit dhe stërvitjes për ta bërë ekipin të ndihej sa më mirë dhe të jepte maksimumin e tyre në fushë.
Goli më i shpejtë në historinë e Kampionateve Evropiane, i shënuar nga futbollisti ynë Nedim Bajrami në sekondën e 23-të të sfidës ndaj Italisë, është një moment që do të mbetet përjetësisht në historinë e futbollit evropian dhe botëror, duke veçuar gjithashtu edhe paraqitjen dinjitoze të ekipit, në ndeshjen kundër Kroacisë dhe mbështetjen fantastike të publikut shqiptar, që ishte gjithmonë aty për t’i dhënë zemër Kombëtares”, tha Duka.
Duke folur për kualifikueset për Botërorin 2026, Duka tha se, “na vendosen përballë një grupi tepër të vështirë me kundërshtarë si Anglia, Serbia, Letonia dhe Andorra, ku pas katër ndeshjesh kemi grumbulluar 5 pikë dhe jemi në vendin e dytë. Në sfidat me Serbinë dhe Letoninë treguam karakter, guxim dhe cilësi, edhe pse rezultati nuk reflektoi plotësisht atë që dhamë në fushë”.
“Jemi ende në garë, tashmë jo më si favoritë dhe plotësisht të ndërgjegjshëm për vështirësitë që na presin. Por ekipi do të luftojë deri në ndeshjen e fundit kundër Anglisë në Tiranë, duke shpresuar fort që ajo të jetë një finale vendimtare. Kam besim të plotë te futbollistët tanë, te stafi teknik dhe administrativ i FSHF-së, por edhe te publiku që na mbështet pa kursim”, shtoi ai.
Duke folur për Kombëtaren A të vajzave, nën drejtimin e trajnerit Grima, Duka u shpreh se, “u paraqit denjësisht në Ligën C të Nations League, duke u renditur e para në grup dhe duke siguruar ngjitjen në Ligën B, ku gjatë vitit 2025 u rendit e treta në grup, duke arritur dy fitore të rëndësishme ndaj Kroacisë”.
“Për herë të parë në histori, vajzat e Kombëtares iu afruan ndjeshëm ëndrrës për pjesëmarrje në finalet e Kampionatit Evropian, duke treguar qartë për seriozitetin dhe vazhdimësinë e punës me këtë ekip, që po ndërtohet me standarde gjithnjë e më të larta”, shtoi ai.
Sa i përket ekipeve të moshave, Duka tha se, “pjesëmarrja e Kombëtares U-17 në finalet e Europianit 2025 ishte një eksperiencë e vyer si për futbollistët, ashtu edhe për të gjithë ne”.
Duka theksoi se, “vetëm gjatë vitit të kaluar kemi mirëpritur 11 turne zyrtarë të UEFA-s, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti janë zhvilluar 5 të tillë dhe 7 të tjerë janë planifikuar deri në fundvit”.
“Kampionati i U-17 u ndoq nga një numër i kënaqshëm spektatorësh në shkallët e stadiumeve, me një mesatare prej 4700 spektatorësh për ndeshje, duke u bërë kampionati i dytë evropian për 17-vjeçarë me më shumë spektatorë, pas rekordit të Gjermanisë 2018 me 5500 spektatorë për ndeshje”, tha Duka.
Për këtë aktivitet, Duka u shpreh se u investuan mbi 5,4 milionë euro vetëm në infrastrukturë, me ndërhyrje të thelluara në stadiumet “Egnatia Arena”, “Elbasan Arena”, “Niko Dovana” dhe në një fushë të re në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Gjithashtu, rikonstruktuam fushat e stadiumeve: “Selman Stërmasi”, “Skënder Halili”, “Roza Haxhiu”, “Tofik Jashari”, “Luzi i Vogël” dhe kompleksin “Tropikal”, të cilat ishin të domosdoshme për stërvitjet e ekipeve pjesëmarrëse dhe që tashmë do t’i mbeten futbollit shqiptar.
Duke folur për ndryshimin e ligjit “Për sportin”, Duka tha se, “në Komisionin Parlamentar, është propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ndryshimi i ligjit “Për sportin”, pa mirëkuptimin e asnjë të interesuari për sportin dhe me kundërshtimin e argumentuar nga ekspertët tanë. Ai synon të krijojë një arbitrazh sportiv klientelist, aspak të pavarur dhe jo profesional”.
“Në emër të organizatës më të madhe sportive në vend, i bëj thirrje për reflektim MAS-së, Komisionit Parlamentar dhe Parlamentit, që mos ta votojë atë ligj. – Por të bashkëpunojmë me të gjitha federatat sportive, grupet e interesit dhe të prodhojmë një paketë ligjore që do t’i shërbejë zhvillimit të sportit”, theksoi Duka.
Për kampionatin e Kategorisë Superiore, Duka vlerësoi skemën “Final Four”.
“Skema e re “Final Four”, me gjithë kritikat dhe skepticizmin, solli më shumë emocion dhe rivalitet deri në fund. U rrit ndjeshëm ndjekja mediatike, stadiumet patën më shumë tifozë dhe interesi i publikut u shtua dukshëm”.