TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Skiatori shqiptar Denni Xhepa, njëri nga katër sportistët që mbajtën flamurin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026 në Itali, vlerësoi përpjekjet e Federatës Shqiptare të Skiimit dhe theksoi natyrën e paparashikueshme të këtij sporti.
Në një intervistë televizive, Xhepa falënderoi të gjithë ata që e mbështetën gjatë Olimpiadës dhe komentoi për përgatitjet e ekipit shqiptar.
“Kemi dhënë 100%. Në sport nuk është e thjeshtë. Disa seksione ishin mirë, por moti, bora dhe disa gabime të vogla ndikuan. Në këtë sport asnjëherë nuk i dihet. Ke vetëm një minutë për të bërë zbritjen më të mirë që mund të bësh në jetë. Olimpiada është njëherë në 4 vite. Federata me këtë sport duket se është duke bërë një punë shumë të madhe” tha Xhepa.
Ai shtoi se përgatitjet për Lojërat Olimpike kishin filluar që në shtator të vitit të kaluar dhe se përkushtimi i ekipit ishte maksimal.
“Përgatitja fillon që në shtator, fillon shumë herët. Je në 3 mijë metra mbi nivelin e detit, sepse nuk ka borë në shtator. Duhet të bësh shumë pasazh… Dua të falenderoj të gjithë njerëzit që më kanë shkruar për të ndihmuar. Shumë njerëz më kanë shkruar nga Shqipëria”, tha Xhepa.
Në Olimpiadën Dimërore, Shqipërinë përfaqësuan gjithashtu Lara Colturi, Semire Dauti dhe Lisa Brunga. Lara Colturi u rendit e 16-ta në Slalomin Gjigant dhe e 10-ta në Slalom, ndërsa Deni Xhepa përfundoi në vendin e 34-t në Super-G dhe të njëjtën pozicion në Slalomin Gjigant. Semire Dauti dhe Lisa Brunga përfunduan vetëm me pjesëmarrjen.