SPORT, 4 Shtator 2025, 20:09

Shqipëria fiton miqësoren me penallti, zgjohet në pjesën e dytë dhe mund Gjibraltarin

Shqipëria fiton miqësoren me penallti, zgjohet në pjesën e

Një penallti e Jasir Asanit ka siguruar fitoren për Shqipërinë eksperimentale të hedhur sot në fushë nga Silvinjo në duelin miqësor ndaj Gjibraltarit në transfertë.

Në një ndeshje ku Silvinjo ruajti duke mos aktivizuar titullarët e paprekshëm, me ndryshime të mëdha nga porta në sulm, kuqezinjtë ishin “në gjumë” në pjesën e parë, me sinjalet e vetme drejt portës që erdhën nga gjuajtjet e Berishës i cili goditi edhe traversën.

Situata ndryshoi në pjesën e dytë, kur nga fusha u larguan Broja e Daku, për t’i bërë vend Hoxhës e Shpendit, që shtuan shpejtësinë në repartin e avancuar me raste radhazi që u krijuan para portës kundërshtare.

Fatin e ndeshjes e vendosi një penallti e fituar nga Shpendi dhe e ekzekutuar nga Asani, që i dha kësisoj avantazhin kuqezinjve të cilët e administruan deri në fund, duke dalë me një fitore minimale nga kjo miqësore.

LIVE GJIBRALTAR-SHQIPËRI 0-1
69′ (p) Asani

90’+5’  Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Shqipërisë. 

90’+2’ Asani ndëshkohet me karton të verdhë për protesta.

88’ Shpendi rrotullohet para zonës me topin në kontroll dhe lëshon një gjuajtje tokazi që kontrollohet me vështirësi nga portieri.

84’ Aksion i gjatë i kuqezinjve që nis me Hoxhën në të majtën, në fund topi shkon te Shpendi por sulmuesi sheh tentativën e tij të bllokohet. (VIDEO)

80’ Pozo i dëmtuar i lë vendin El Hmidi te Gjibraltari.

76’ Valarino i lë vendin Mauro në radhët e Gjibraltarit.

76’ Çokaj ndëshkohet me karton të verdhë.

70’ Bajrami i lë vendin Çokajt në radhët e Shqipërisë.

69’ GOOOL SHQIPËRIA! Asani shënon nga pika e bardhë. (VIDEO)

69’ Penallti për kuqezinjtë! Një top nga e djathta i Shpendit sjell prekjen me dorë të Pozo dhe gjyqtari bën shenjë nga pika e bardhë. (VIDEO)

63’ Xhollej ndëshkohet me të verdhë për një faull ndaj Bajramit.

61’ Dajsinani i lë vendin në fushë Simonit në radhët e Shqipërisë.

60’ Edhe Hoxha nga e majta provon të gjejë golin, por nuk ka shënjestrën e duhur. (VIDEO)

59’ Pozo tenton nga distanca për vendasit, topi shkon shumë lart mbi traversë.

57’ Lëvizje e shpejtë e Bajramit nga e djathta, pasimi i tij gjen Shpendin i cili gjuan, por fluturon sferën lart mbi traversë.(VIDEO)

56’ Një harkim nga Balliu në të djathtën, thuajse sjell autogol pas devijimit të MekKlaferti mbi traversë. (VIDEO)

52’ Kuqezinjtë tundin rrjetën me Asanin pas një aksioni në qendër, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. (VIDEO)

51’ Pajaziti tenton me një gjuajtje me të djathtën nga distanca, sfera shkon larg portës.

48’ Një ndërhyrje ndaj Borge sjell kartonin e verdhë për Kaçurrin. (VIDEO)

46’ Pereira, Olivera dhe Borge hyjnë në fushë për ekipin vendas.

46’ Pjesa e dytë nis me ndryshim të trefishtë te Shqipëria, ku Shpendi, Balli dhe Hoxha marrin vendin e Brojës, Hysajt dhe Dakut.

45’+4’ Mbyllet pjesa e parë e ndeshjes.

45’+2’ Pak shqetësim në radhët e Shqipërisë pasi Broja kërkon ndihmën e mjekëve pas një ndërhyrje ndaj tij. Por ai merr trajtimin dhe më pas çohet e del vetë nga fusha për t’u rifutur menjëherë në lojë.

43’ Përsëri Berisha bëhet protagonist me një gjuajtje nga distanca, këtë herë sfera devijohet nga një mbrojtës, përplaset në traversë dhe shkon jashtë. (VIDEO)

37’ Broja provon një aksion personal me një depërtim në qendër, por në fund ndalet nga mbrojtja e Gjibraltarit. (VIDEO)

34’ Berisha tenton portën me një gjuajtje të fortë nga distanca, portieri devijon në këndore. (VIDEO)

22’ Një tjetër aksion nga e majta nuk finalizohet nga Aliji i dalë në ndihmë të sulmit. (VIDEO)

20’ Del Rio tenton portën për vendasit, topi kontrollohet nga Dajsinani. (VIDEO)

19’ Një harkim nga e djathta e sulmit nuk kuptohet nga askush në zonë dhe sfera kalon pasqyrën e portës duke përfunduar në rivënie fundore për Gjibraltarin.

18’ Edhe miqtë tentojnë me një harkim në zonë që devijohet jashtë nga De Barr.

17’ Vetë Asani provon me një goditje dënimi, sfera nuk gjen portën kundërshtare.

16’ Valarino ndëshkohet me të verdhë për një faull ndaj Asanit.

15’ Aksioni i parë i rrezikshëm i kuqezinjve vjen nga e majta, me Dakun që sheh sferën e gjuajtur prej tij të bllokohet e më pas Asani nuk gjuan siç duhet drejt portës. (VIDEO)

13’ Skanlon mundohet të kalojë Kaçurrin, debutuesi i kuqezinjve e mbyll me kujdes dhe pason për Dajsinanin.

10’ Shqipëria mundohet të qarkulloje topin për të gjetur hapësira, por për momentin nuk ka të tilla për inkursionet e sulmuesve në zonë.

6’ Një top i gjatë shkon drejt zonës tonë, Dajsinani del i qetë dhe kontrollon sferën.

1’ Nis dueli në “Europa Point”

GJIBRALTARI: Banda, Xhollej, Torrija, Lopes, MekKlaferti, Skanlon, Valarino, Pozo, Riçards, De Barr, Del Rio
Trajner: Skot Uajsmen

SHQIPËRIA: Dajsinani, Aliji, Kumbulla, Kaçurri, Hysaj, Berisha, Pajaziti, Bajrami, Asani, Broja, Daku.
Trajner: Silvinjo