SPORT, 4 Shtator 2025, 17:48

Nga “lista shtesë” dhe asnjë ndeshje zyrtare me moshat bëhet titullar, kush është surpriza Kaçurri në rreshtimin e Silvinjos

Nga “lista shtesë” dhe asnjë ndeshje zyrtare me moshat

Maldini Kaçurri është risia e madhe e grumbullimit të trajnerit Silvinjo për ndeshjet ndaj Gjibraltarit dhe Letonisë. Fakti që ai rreshtohet si titullar në ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit, e bën edhe më të surprizuese zgjedhjen e teknikut.

Në fakt, Silvinjo nuk e kishte në listën e tij mbrojtësin i cili është pjesë e ekipit U21 të Arsenalit. Ose më saktësisht e kishte, por vetëm në listën shtesë. Ai është ftuar t’u bashkohet kuqezinjve, vetëm pasi FSHF dhe trajneri mësuan se Adrian Bajrami nuk do të vishte më fanellën e Kombëtares, sepse priste një telefonatë nga Zvicra. Gjithçka u mbyll me shpejtësi dhe Kaçurri, ndryshe nga të ftuarit e tjerë të “emergjencës”, ishte në grumbullim që në ditën e parë të tij duke u stërvitur rregullisht me ekipin.

Djaloshi 19-vjeçar ka spikatur në akademinë e Arsenalit në këto vite dhe klubi i dha mundësinë që të debutonte me skuadrën e parë në Kupën e Ligës në edicionin e kaluar, në sfidën ndaj Boltonit ku luajti në 20 minutat e fundit.

Në janar, ai u huazua te Bromli, në kategorinë e katërt, por luajti atje vetëm 3 ndeshje para se të kthehej përsëri të ishte pjesë e Arsenalit. Ndërkohë, me fanellën kuqezi ai ka luajtur çuditërisht vetëm ndeshje miqësore, si me U17, ashtu edhe me atë U19 e së fundmi me U21. Në asnjë rast ai nuk ka luajtur ndeshje zyrtare, duke qenë gjithmonë jashtë listave të kuqezinjve kur bëhej fjalë për ndeshje me vlerën e tre pikëve.