TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mançester Siti do të përfitojë një shifër pranë 300 milionë paundëve në rast se do të fitojë tripletën historike këtë sezon. “Qytetarët” janë në sprintin e fundit për të fituar titullin e Premier Ligës, Ligën e Kampioneve dhe Kupën FA. Ata kryesojnë Premier Ligën, 1 pikë përpara Arsenalit, ndërsa kanë edhe katër ndeshje për të luajtur dhe një më shumë sesa “topçinjtë”.
Por ata janë në një pozicion të fortë për të prerë edhe biletën në finalen e Champions-it pas barazimit 1-1 në “Bernabeu” me Realin në gjysmëfinalen e parë. Kampionët e Anglisë janë gjithashtu favoritë për të fituar trofeun e Kupës FA, ndërsa në finalen e 3 qershorit do të gjejnë komshinjtë e Junajtidit në “Wembley”.
Sipas “The Sun”, Siti do të përfitojë një shifër rekord në rast se përsërit suksesin e Junajtidit në vitin 1999. Titulli i tyre i pestë i Premier Ligës në 6 vite do të sillte 164 milionë paund bonuse, ashtu siç ndodhi edhe sezonin e shkuar, ndërsa me triumfin në finalen e kompeticionit më të vjetër futbollistik në botë do të arkëtonin edhe 3.9 milionë paund të tjera.
Suksesi i parë në histori në Ligën e Kampioneve do të ishte një minierë ari për të ardhurat e klubit të kaltër, i cili mund të arkëtojë rreth 117.2 milionë paund, duke përfshirë të gjitha të ardhurat që sjell kompeticioni. Dhe kjo do ta dërgonte shifrën në total në 285.1 milionë paund.
Por suksesi në Champions do të sillte akoma më shumë të ardhura, sepse suksesi në finalen e Stambollit më 10 qershor, do t’i garantonte Sitit edhe një vend në Botërorin e Klubeve, që do të ndryshojë format në vitin 2025. Dhe çmimi për fituesit e këtij turneu pritet të jetë pranë 50 milionë paundëve.
Bonusi i UEFA-s për pjesëmarrjen në fazën e grupeve dhe rezultatet e tyre në këtë fazë arrin në 69.9 milionë paund, me 20.37 milionë paund të tjera për kualifikimin në raundin e 1/8-ave dhe çerekfinaleve. Kualifikimi në finale do të sillte 9.6 milionë paund të tjera dhe triumfi në Stamboll do ta dërgonte në 17.63 milionë.