SPORT, 26 Maj 2022, 20:52

Pesë trajnerët e fundit kampion janë shkarkuar, Shehi indiferent: “Unë punoj sikur do jem këtu gjithë jetën”

Pesë trajnerët e fundit kampion janë shkarkuar, Shehi indiferent:

“Si ka qenë ky sezon? I lodhshëm. Ka filluar shumë shpejt dhe ka mbaruar shumë herët. Duke pasur 36 javë dhe disa ndeshje Kupe është e lodhshme”. Orges Shehi mund të mendojë tani edhe lodhjen, pas mbyljes së kampionatit dhe ngritjes së trofeut të kampionit në Selman Stërmasi para tifozëve bardheblu. Titulli i 26 tani është arritur, pavarësisht humbjes 2-3 me Kukësin në javën e fundit të kampionatit.

Të paktë ishin ata që besuan në misionin e kryeqytetasve dhe Shehit, por javë pas jave ata i ndihmuan skeptikët të ndryshonin mendje, deri në sigurinë matematikore se askush nuk ishte më mirë se bardheblutë: “Është e vërtetë që ka qenë një arritje e madhe. Këtë do t’ia ndajë lojtarëve, bashkëpunëtoreve dhe klubit. E dimë që pritshmëritë janë të mëdha. Kemi filluar punën dhe gjatë kësaj periudhe të paraqitemi denjësisht në Kupat e Europës”.

Sindroma e kampionit te Tirana nuk e shqetëson fare durrsakun, pavarësisht statistikës që thotë se të pestë trajnerët e fundi që janë shpallur kampion janë larguar: “I mbetet klubit ta zyrtarizojë. Unë e kam vendosur. Unë bëjë punë sikur të jem gjithë jetën këtu. Shpresoj që me këtë grup të vazhdojmë sa më shumë”.