SPORT, 16 Gusht 2023, 21:35

Milot Rashica flet si lojtar i Beshiktashit: Turqia dhe Kosova pothuajse të njëjta, festoj me shqiponjë pasi është simbol i shqiptarëve

Milot Rashica flet si lojtar i Beshiktashit: Turqia dhe Kosova pothuajse të
Milot Rashica

Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica është shprehur shumë i lumtur me transferimin e tij te skuadra e Beshiktashit. Ai u prezantua të mërkurën te Beshiktashi, ekip që e transferoi nga Norëich City për 5.2 milionë euro.

27-vjeçari firmosi kontratë deri në vitin 2027 me ekipin e ri dhe në prezantimin e tij premtoi se do të jap gjithçka nga vetja për ta ndihmuar Beshiktashin në arritjen e objektivave.

Po ashtu, ai shtoi se me padurim pret të debutojë me fanellën e Beshiktashit dhe t’i gëzoj tifozët me paraqitjet e tij. Rashica te Beshiktashi do ta bartë fanellën me numrin 11 dhe ka shtuar se shpreson të shënoj gola dhe të bëjë asistime për bashkëlojtarët e tij.

“Shpresoj të shënoj shumë gfola dhe të bëjë asistime, pavarësisht në cilën pozitë do të luaj. Do të mundohem të jap më të mirën për ekipin tim. Pra, do të jap gjithçka nga vetja kur të dal në fushë. Unë edhe më përpara e kam bartur numrin 11 dhe jam i lumtur që këtu më është dhënë ky numër”, është shprehur Rashica.

“Shpresoj të kemi një edicion të mirë dhe në fund ta fitojmë titullin e kampionit. Mezi pres të shoh tifozët duke na përkrahur nga tribunat”. Ai shtoi se zgjodhi Beshiktashin dhe këtë e kuptoi që në kontaktin e parë që e pati. Rashica tha se dëshira e tij ishte të rikthehej në Turqi, pasi edicionin e shkuar e fitoi titullin e kampionit por me Galatasarayn, ekip ku ishte i huazuar.

“Që në momentin e parë që nisëm negociatat me Beshiktashin, ata më respektuan dhe mëbënë të ndjeja së më donin shumë. Kjo ishtë gjëja më e rëndësishme për mua dhe doja të kthehesha në Turqi, ku isha i lumtur. Po ashtu, edhe projekti i klubit ishte shumë i mirë dhe për këtë arsye zgjodha të transferohem këtu”, ka shtuar Rashica.

Rashica foli edhe për festimin e golit, të cilin e bën me simbolin e shqiponjës. Tha se kjo mënyrë e festimit të golave është e veçantë për të, duke pasur parasysh se shqiponja është simbol i shqiptarëve.

“Shqiponja është simboli ynë kombëtar, simbol për popullin e Shqipërisë dhe Kosovës. Kur bëjmë shenjën e shqiponjës, ata që na shohin e dinë se kush jemi. Kjo vlen edhe për ata që shohin flamurin tonë. I festova golat e mi duke bërë shenjë shqiponje, festoj. Ka një kuptim shumë të veçantë për të gjithë ne”, u shpreh Rashica, i cili shtoi se atmosfera e krijuar nga tifozët në Turqi i takon një niveli krejtësisht tjetër.

Rashica te Beshiktashi u prezantua me një video duke pirë çaj. Ai tha se në qytetin e tij prej nga vjen, çaji pihet shumë dhe shtoi se Kosova e Turqia pothuajse janë të ngjashme njëra me tjetrën.

“Turqia dhe Kosova janë pothuajse të njëjta. Kështu që po e shijoj kohën time këtu. Ne e duam çajin në qytetin nga vij unë. Ka shumë gjëra të tilla mes dy vendeve”, tha Rashica.