SPORT, 17 Maj 2026, 17:02

Konten e pret Italia? Trajneri flet pasi kualifikoi Napolin në Champions: Ka një muaj që ia kam thënë presidentit

Konten e pret Italia? Trajneri flet pasi kualifikoi Napolin në Champions:

Fitorja e Napolit ndaj Pizës ka siguruar praninë matematikisht të napolitanëve në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Por njëkohësisht, ka dhënë sinjalet e një lamtumire te Antonio Kontes, i cili në fund të ndeshjes ka lëshuar deklarata të cilat lënë të kuptohet se koha e tij në drejtimin e kësaj skuadre po shkon drejt fundit.

“Klubi po punon për të ardhmen, të presim ndeshjen e fundit dhe pastaj së bashku me presidentin do të themi atë që është vendosur. Unë ia kam thënë prej një muaji mendimin dhe objektivin tim”, tha Konte para mediave.

“Unë kam premtuar që kur të largohem, do të lë këtu një grup solid që të bezdisë Milanin, Juven dhe Interin, të cilat e nisin gjithmonë një metër përpara. Nëse Napoli i bezdis çdo vit dhe ia del t’i kapërcejë një vit po e një vit jo, do të ishte diçka e madhe. Është e drejtë që të jemi të qartë me presidentin, do t’i jem gjithmonë mirënjohës, pavarësisht asaj që do të ndodhë në vitin e ardhshëm. Më ka dhënë mundësinë që të jetoj në një ambient si i Napolit dhe të festoj. Më kanë thënë gjithmonë se kur fiton në Napoli është njëlloj si ta bësh 10 herë në një klub tjetër”, tha Konte.