SPORT, 25 Shtator 2022, 08:38

“Mbetet një paraqitje e mirë, edhe barazimi nuk ndryshonte gjë”, Reja: Pritni shumë nga Broja, ai nuk është ende gati

“Mbetet një paraqitje e mirë, edhe barazimi nuk ndryshonte

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, ka deklaruar për “SuperSport” se humbja ishte vetëm pasojë e gabimeve individuale. Ai theksoi se ekipi kishte bërë një punë të mirë dhe vetëm këto gabime e penalizuan.

“Për mënyrën se si erdhi ndeshja, po të barazonim do të ishte një rezultat i mirë. Djemtë dhanë gjithçka, por bëmë disa gabime individuale se goli i parë dhe i dytë ishin njëlloj.

Nuk kemi qartësinë në momentet e rëndësishme që të lexojmë aksionet. Kështu jemi penalizuar gjithmonë. Themi të njëjtat gjëra, duhet të bëjmë këtë hap të rëndësishëm dhe të mos bëjmë gabime. Ata janë të fortë, se në pjesën e parë në planin teknik e taktik na vunë në vështirësi.

Ndërrova me 5 se po na vinin në vështirësi, na vunë në vështirësi, i përballuam, për fat pësuam vetëm një gol. Mbetet një paraqitje e mirë, mbetet për t’u diskutuar ndonjë gabim individual, si gjithmonë, gjërat janë të njëjtat.

Ju pritni shumë nga Broja. Ai është 21 vjeç, duhet të rritet. Unë po e aktivizoj që të kuptojë se është e vështirë që të luash me këta që të luajnë në mënyrë agresive. Ai ka goditjen, mund të krijojë diçka nga një moment në tjetrin, por duhet ende të rritet, nuk është ende gati.

Me 4 na vunë para, kemi vuajtur me katër. Nuk jemi mësuar të luajmë ashtu, për të luajtur ashtu duhet më shumë kohë dhe shihej që kemi vështirësi. Në pjesën e dytë edhe me 5 krijuam, ishte mundësia e Hysajt. Erdhi goli i madh i Uzunit, djemtë besonin dhe shtynë që të fitonim ndeshjen. Por edhe barazimi nuk ndryshonte gjë. Duhej të fitonim edhe me Islandën, tani kemi vetëm një objektiv, të fitojmë me Islandën dhe pikë”, tha Reja.