TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për ndeshjen e parë të këtyre kualifikueseve, atë kundër Moldavisë, e cila do të luhet mbrëmjen e së shtunës në “Air Albania”.
Në kërkim të një formacioni ideal dhe më shumë sulmues, Silvinjo po kërkon dita-ditës lojtarët e duhur që do të hedhë në fushë për këtë takim, që pa dyshim duhet të fitohet nëse duam që të realizojmë objektivin e kualifikimit në “EURO 2024”.
Gjatë seancës së djeshme stërvitore, në fushë ka zbritur edhe Jasir Asani, i cili ka punuar i diferencuar dhe me vrapime të lehta, duke qenë se anësori vjen nga një vend i largët si Koreja e Jugut dhe ka kaluar mbi 20 orë udhëtim me avion.
Një tjetër futbollist i cili nuk u stërvit në fushë me grupin, ishte edhe Berat Gjimshiti. Nuk dihet nëse mbrojtësi ka ndonjë shqetësim, apo thjesht mbingarkesë dhe është lënë pushim nga braziliani.
STËRVITJA- Seanca nisi në orën 17:00 me kuqezinjtë që punuan për rreth 45 minuta në palestrën e kompleksit dhe morën një ngarkesë të mirëfilltë.
Më pas grupi kaloi në fushë, ku vijuan me pjesën e ushtrimeve të lehta dhe të ndarë në tri grupe. Trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi, vazhdoi të punonte me katër gardianët i veçuar.
Ndërkohë Doriva dhe Zabaleta përgatitën edhe ushtrimin e radhës, ku në fakt ekipi u nda në dy formacione, për t’u përballur me njëri-tjetrin.
Nga njëra anë u rreshtua: Berisha në portë, Hysaj, Ismajli, Mihaj dhe Mitaj në mbrojtje, Ramadani, Bare dhe Bajrami në mesfushë, ndërsa përpara Mehmeti, Uzuni dhe Cikalleshi.
Nga ana tjetër ishte ky formacion: Strakosha, Hadroj, Ardian Bajrami, Veseli, Aliji, Abrashi, Laçi dhe Asllani në mesfushë dhe në sulm, Muçi, Seferi dhe Sadiku.
Pas rreth 45 minuta lojë të zhvilluar me pushime të shkurtra, lojtarët morën edhe ngarkesën e duhur, duke qenë se ndeshja do të luhet ditën e shtunë.
Ato që ranë në sy ishin golat e Cikalleshit, i cili nuk u tregua bujar me Strakoshën, ndërsa ky i fundit e mbylli lojën me një superpritje ndaj Uzunit. Ditën e sotme do të vijojë edhe seanca e radhës, teksa Silvinjo do të qartësohet edhe më shumë për titullarët, duke qenë se Asani dhe Asllani sapo kanë mbërritur.
Ndërkohë sa i përket skemës që braziliani do të aplikojë, mundësia më e madhe është që Shqipëria të rreshtohet me skemën 4-1-4-1, duke pasur parasysh edhe kundërshtarin, do të shohim një ekip edhe më sulmues, që do të kërkojë golin që në fillim.