TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Programi i njohur i BBC, “Ndeshja e ditës” është në kaos. Bordi drejtues vendosi dy ditë më parë të largojë nga transmetimi ish-futbollistin e njohur, Gary Lineker.
Shkak u bë një postim i tij në Twitter që kritikonte nismën e qeverisë për dëbimin e emigranteve që hyjnë në rrugë ilegale në vend. Lineker e konsideroi këtë nismë të ngjashme me dëbimet e nazistëve nga Gjermania e viteve ‘30.
Por largimi i Lineker ka futur në kaos emisionin pasi edhe 2 drejtuesit e tjerë, Ian Wright dhe Alan Shearer kanë dhënë dorëheqjen në shenjë solidariteti. Ish-sulmuesi i Arsenalit tashmë ekspert i futbollit, Ian Wright, shkroi sot në Twitter se ai gjithashtu nuk do të dilte në transmetim.
Pas tij edhe ish-sulmuesi i njohur Alan Shearer njoftoi se kishte njoftuar BBC se nuk do të bënte programin pas Lineker dhe Wright. Edhe gazetarja Alex Scott duket se ka hequr dorë nga ky program pasi publikoi një meme me fjalën “nah”.
Në krah të Lineker kanë dalë emra të njohur të ekranit. Ish-portieri i Anglisë, Ben Foster ka reaguar ashpër. Eksperti i futbollit, ish-mbrojtësi i Manchester City, Micah Richards tha se do ta bojkotojë programin e BBC të shtunën duke mos marrë pjesë.
Gazetari i njohur Piers Morgan, një mik i Lineker shkroi me mjaft neveri duke e quajtur vendimin e BBC-së si “patetik dhe pa shtyllë kurrizore”. Ish-kreu i konservatorëve, William Hague tha se ishte “e përshtatshme” që Gary Lineker të largohej nga programi “Ndeshja e ditës”. Lineker është një emrat më të paguar të BBC-së.
Komentet e Lineker u kritikuan nga Downing Street dhe nga disa emra të njohur mes partisë konservatore duke përfshirë Sekretaren e Brendshme, Suella Braverman dhe James Cleverly, sekretarin e jashtëm të qeverisë britanike.
Ndërsa një zëdhënës i BBC tha se “ka pasur diskutime të gjata me Gary dhe ekipin e tij ditët e fundit. Ne kemi thënë se e konsiderojmë aktivitetin e tij të fundit në mediat sociale si një shkelje të udhëzimeve tona”. Ligji i propozuar nga qeveria britanike për dëbimin e menjëhershëm të emigrantëve të paligjshëm konsiderohet si nga më të ashprit e miratuar ndonjëherë.