Desktop - General - 1
SPORT, 28 Korrik 2022, 15:31

“Ishte vendim i vështirë”- Tërhiqet nga Formula 1 katër herë kampioni i botës, Sebastian Vettel: Prioriteti im do të jetë…

“Ishte vendim i vështirë”- Tërhiqet nga Formula 1

Katër herë kampioni botëror i Formula 1, Sebastian Vettel, do të tërhiqet nga garat në fund të këtij sezoni.

35-vjeçari tha se “vendimi ishte i vështirë” dhe se ai “kishte kaluar shumë kohë duke menduar për ta ndërmarrë këtë hap”.

Gjermani u shpreh se do të merrte më shumë kohë për të reflektuar mbi atë se ku do të fokusohet pas tërheqjes nga Formula 1.

Sipas Vettel, familja e tij janë prioritet tashmë. Vettel do të largohet nga sporti si një nga pilotët më të suksesshëm në histori.

Vetëm Leëis Hamilton, Michael Schumacher dhe Juan Manuel Fangio kanë fituar më shumë tituj botëror se Vettel.

Ai shtoi: “Sot nuk është për të thënë lamtumirë. Përkundrazi, është për të thënë faleminderit për të gjithë, jo më pak për tifozët, pa mbështetjen e të cilëve F1 nuk mund të ekzistonte.”

Vettel, i cili fitoi katër tituj radhazi me Red Bull nga viti 2010 deri në 2013, shtoi: “Edhe pse rezultatet tona nuk kanë qenë aq të mira sa kishim shpresuar, është shumë e qartë për mua se gjithçka është duke u bashkuar që një ekip duhet të garojë në nivelin më të lartë për vitet në vijim”.

“Shpresoj që puna që kam bërë vitin e kaluar dhe që po vazhdoj të bëj këtë vit do të jetë e dobishme në zhvillimin e një ekipi që do të fitojë në të ardhmen dhe do të punoj sa më shumë që të mundem nga tani deri në fund të vitit, duke dhënë si gjithmonë më të mirën time në 10 garat e fundit”, përfundoi ai.

Aston Martin donte ta mbante Vettel sezonin e ardhshëm, por ai vendosi se donte të largohej nga sporti.

Vitet e fundit ai është bërë një aktivist i hapur për çështjet sociale dhe mjedisore. Vettel gjithmonë i është shmangur rrjeteve sociale, por ai hapi një llogari në Instagram të enjten, pak para se të njoftonte tërheqjen e tij.

Aston Martin nuk ka bërë asnjë njoftim për një zëvendësim për Vettel në sezonin e ardhshëm