SPORT, 19 Shkurt 2026, 15:02

Interit nuk i del e keqja pas humbjes për shkak të Lautaros, zikaltrit ankohen për… barin

Interit nuk i del e keqja pas humbjes për shkak të Lautaros, zikaltrit

Interi është larguar nga Norvegjia me një humbje 3-1 përballë Bodo/Glimt që ka shuar euforinë zikaltër për shkëputjen në kampionat. Sipas asaj që raportohet në mediat italiane, klubi zikaltër ka qenë më shumë i inatosur në fakt për situatën e kapitenit Lautaro Martinez, të cilën e kishin paralajmëruar.

Interi kishte bërë ankesë te UEFA për gjendjen e barit sintetik të stadiumit në të cilin u luajt ndeshja, nga i cili ishin hequr 80 ton borë, por ku mjetet e pastrimit kishin zhvendosur tapetin sintetik teksa punonin.

Zikaltrit ishin ankuar se kjo do të shkaktonte dëmtime, e bë fakt ashtu ndodhi me kapitenin Lautaro Martinez pas një ore lojë, kur ai ndjeu dhimbje në pulpë e kërkoi zëvendësim. Pak minuta më vonë erdhën dy golat e Bodo/Glimt, duke bërë humbjen 3-1 shumë problematike për një vazhdimësi të mundshme në turne.

“Gazzetta Dello Sport” bën të ditur se Interi është larguar sot nga Norvegjia me drejtuesit e inatosur me UEFA-n që kishte miratuar që ndeshja të luhej në një fushë të tillë, pa ato që zikaltrit i cilësojnë kushtet minimale që kërkon një turne si Liga e Kampioneve. Por tashmë do të duhet të vërtetojnë në mesjavën e ardhshme se mjafton fusha për të bërë diferencën dhe për të kthyer Interin favorit, që rrallëherë u pa në ndeshjen e të mërkurës.