SPORT, 11 Tetor 2022, 18:28

Humbja në Milano dhemb akoma, Xavi do hakmarrje: Do të bëjmë gjithçka që të fitojmë ndaj Interit

Humbja në Milano dhemb akoma, Xavi do hakmarrje: Do të bëjmë

Humbja ndaj Interit në Milano akoma dhemb dhe Barcelona kërkon hakmarrjen. Kjo është ajo që tha pak a shumë në konferencën për shtyp trajneri i katalanasve Xavi, para sfidës së Champions League nesër mbrëma në Spanjë.

“Ne do të shkojmë në sulm dhe do të përpiqemi të jemi të guximshëm, jemi të emocionuar për të luajtur një lojë të shkëlqyer në shtëpi, kemi një natë magjike në “Camp Nou”. Duhet të jemi më agresivë, më vertikalë dhe të arrijmë më shumë në zonën rivale. Ne e kemi një ide të qartë dhe nuk do të ndryshojë nëse Interi luan me një apo dy sulmues. E kemi të qartë idenë për të fituar”, u shpreh trajneri.

“Ne duam hakmarrje për atë që ndodhi në Milano dhe do të japim gjithçka që fitorja të qëndrojë në shtëpi, të mos ulim vëmendjen për asnjë sekondë. Indinjata pas ndeshjes ishte normale, tani duhet të fokusohemi të luajmë dhe të jemi më të mirë, nëse përmirësojmë lojën nuk do të varemi më nga vendimi i arbitrit.

Unë jam gjithmonë pozitiv dhe e dimë që të mos fitosh do të ishte zhgënjim, por tani për tani preferoj të mendoj pozitivisht, duam të vazhdojmë në këtë garë”, theksoi ai. “Është një lojë në të cilën është i rëndësishëm aspekti psikologjik, por duhet të jemi të qetë, kemi 90 minuta për të shënuar. Nëse shënojmë herët gol, më mirë, por ka 90 minuta për të fituar.

Biletat janë shitur, ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj që të përjetojmë një natë magjike në “Camp Nou”, tha ai.