SPORT, 10 Tetor 2022, 17:28

“Statuja e Lionel Mesit jashtë Camp Nou”, Laporta po i provon të gjitha, për të rikthyer argjentinasin te Barcelona

“Statuja e Lionel Mesit jashtë Camp Nou”, Laporta po i provon

“Lionel Mesi do të kthehet në Barcelonë”. Ditët e fundit, zërat janë bërë gjithnjë e më këmbëngulëse se argjentinasi do të rikthehet të veshë fanellën Blaugrana. Lajmi nuk është konfirmuar asnjëherë, por 35-vjeçari së shpejti do të jetë realisht në Camp Nou. Jo ekzaktësisht ai, por statuja e tij.

Presidenti, Joan Laporta, ka njoftuar se klubi katalanas do të ndërtojë një statujë të Messi. Statuja do të vendoset jashtë stadiumit ikonik blaugrana, si një simbol. 60-vjeçari, siç raporton Goal, e tha këtë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Barçës gjatë fundjavës: “Ne do të ndërtojmë një statujë të Leo Mesit dhe statuja do të vendoset jashtë Camp Nou. Vendimi është marrë”.

"Pleshti" aktualisht është lojtar i PSG-së, por lidhja mes tij dhe klubit katalanas mbetet shumë e fortë. Sulmuesi është larguar nga Barça pas 20 vitesh me fanellën blaugrana. Njëzet vite plot suksese dhe rekorde për argjentinasin: 731 ndeshje, 634 gola dhe 256 asiste, 4 Champions League, 3 Botëror për klube, 10 liga spanjolle dhe 6 Topa të Artë. Një histori e gjatë, e cila u ndërpre për arsye ekonomike.

Pleshti i tha lamtumirë klubit dhe u transferua në Paris. Tani Laporta ka konfirmuar se jashtë Camp Nou, tifozët do të mund të admirojnë argjentinasin. Më saktë statujën e tij. Ditët e fundit janë shtuar zërat për rikthimin e sulmuesit te Barcelona. Kontrata e lojtarit me PSG do të skadojë në verë. Atëherë Messi mund të vendosë të kthehet në atë që ka qenë shtëpia e tij për 20 vjet. Megjithatë, 35-vjeçari do të ketë mundësinë të zgjasë qëndrimin e tij në Parc des Princes. Argjentinasi nuk do të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij deri në fund të sezonit.