SPORT, 21 Maj 2022, 23:07

Fiorentina mposht Juventusin, Bajrami jep asist dhe lë Gjimshitin jashtë Europës

Fiorentina mposht Juventusin, Bajrami jep asist dhe lë Gjimshitin

Fiorentina do të jetë skuadra që do të luajë në sezonin e ardhshëm në Ligën e Konferencës nga Seria A. Verdikti ka ardhur pasi skuadra e qytetit të Firences mposhti Juventusin, ndërsa Atalanta dështoi përballë Empolit të shqiptarëve duke mbetur jashtë Europës.

Në një ndeshje ku Alegri bëri përsëri rotacion, Fiorentina u tregua më konkrete para portës, teksa shënoi me Dunkan në fundin e pjesës së parë dhe pastaj me Gonzalez në shtesën e takimit për të marrë një fitore 2-0 që i siguroi vendin e 7 në klasifikim.

Nga ana tjetër, Atalanta u mposht në fushën e saj nga Empoli me shifrat 1-0, ku golin për miqtë e shënoi Stulac pas asistit perfekt të Bajramit. Ndaj skuadra e Gasperinit ka mbetur në vendin e 8 në klasifikim e si rrjedhojë do të shohë ndeshjet e Kupave të Europës nga TV, pas tre sezonesh ku i kishte mahnitur të gjithë edhe në arenën ndërkombëtare duke siguruar rezultate të rëndësishme.

Ndërkohë, Thomas Strakosha nuk e ka mbyllur dot me rrjetën e paprekur ndeshjen e tij të fundit te Lacio, pasi ekipi i tij ka barazuar 3-3 ndaj Veronës në një sfidë me përmbysje të çmendura rezultati.