SPORT, 21 Maj 2022, 17:44

“Ka qenë një sezon plot ngjyra dhe jo bardhezi”, Inzagi: Të japim 100% në 90 minutat e fundit

“Ka qenë një sezon plot ngjyra dhe jo bardhezi”, Inzagi:

Interi i Simone Inzagit do të luajë këtë të diel sfidën e fundit të sezonit përballë Sampdorias, ku do të vendoset dhe fituesi i Serisë A për këtë sezon, me zikaltërit që kanë një distancë prej dy pikësh nga Milani i vendit të parë.

Në konferencën e fundit për shtyp të këtij sezoni, Inzagi ka folur lidhur me vitin e tij të parë si trajner i Interit duke e cilësuar si fantastik. Ai është ndalur të flasë dhe për situatën e Perisiç duke theksuar se e konsideron lojtarin si të rëndësishëm për të ardhmen dhe se kërkon rinovimin e tij.

“Ka qenë një vit plot ngjyra jo bardhezi, kemi fituar kupa dhe kemi arritur në fazën me eliminim direkt në Champions. Ka qenë një sezon fantastik.

Sampdoria nesër është një ndeshe e rrezikshme duhet të tregohemi të kujdesshëm. Skuadra ka kaluar një javë si çdo tjetër duke u përgatitur për ndeshjen, e dimë që këto janë 90 minutat e fundit për të luajtur mirë në mënyrë që të mos kemi asnjë pishman, duke e ditur që nuk varet nga ne. E dimë që duhet të japim 100% në 90 minutat e fundit.

Nëse do të doja të ri-luaja një ndeshje do të ishte ajo me Liverpulin, rezultati 0-2 i ndeshjes së parë ishte i padrejtë për ne.

Perisiç është një lojtar shumë i rëndësishëm për mua dhe për Interin e të ardhmes. Dua që ai të rinovojë, por kjo varet dhe nga takimi që ai do të ketë me drejtuesit e klubit në ditët e ardhshme.”, u shpreh Inzagi.