SPORT, 14 Janar 2023, 15:16

Erzeni i rrëmben pikën Egnatias në Rrogozhinë, dy gola të anuluar nga VAR-i

Erzeni i rrëmben pikën Egnatias në Rrogozhinë, dy gola

Erzeni merr një pikë me shumë vlerë në fushën e Egnatias në javën e 16-të të Superiore, me sfidën mes tyre të mbyllur 1-1.

Gjatë pjesës së parë, vendësit ishin më kërkues në lojën e tyre, por u mungoi saktësia në finalizim, siç ishte episodi i minutës së 27-të, me Fangajn që nuk arrin të godasë.

Gjithsesi, pjesa e dytë ofron më shumë emocione, me gola të shënuar dhe të anuluar.

Në minutën e 51-të Egnatia fiton një 11-metërsh (pengohet Musta), që shndërrohet në gol nga Jackson, 1-0.

E shpejtë kundërpërgjigjja e Erzenit, që gjen pas tri minutash golin me Sadikin, që fiton duelin ajror dhe shtyn topin drejt rrjetës.

Loja ndizet më shumë me aksione nga ta dyja skuadrat. Në të 61-tën shënon sërish Jackson, por goli anulohet nga sistemi VAR për ndërhyrje të gabuar në ndërtimin e aksionit.

Shtatë minuta më vonë i anulohet goli edhe Notatos së Erzenit, sërish pas ndërhyrjes së sistemit VAR. Në minutat në vazhdim, pavarësisht përpjekjeve të vendësve për të marrë fitoren nuk u shënuan gola të tjerë, me rezultatit përfundimtar që mbeti 1-1.

Egnatia shkon në kuotën e 25 pikëve dhe ruan vendin e tretë, ndërsa Erzeni, me 23 pikë, mbetet në vendin e gjashtë.