TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pesë organizata të Shoqërisë Civile ka kanë propozuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, emrin e Përparim Kalos, anëtarit të Gjykatës Kushtetuese si kandidat për postin e Presidentit të Republikës.
Propozimi ka ardhur pas ftesës që Kuvendi i Shqipërisë i bëri Shoqërisë Civile për të marrë pjesë në konsultat për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Mësohet se ky propozim i është dërguar në tryezë Lindita Nikollës për të qenë pjesë e procesit të përzgjedhjes së kandidatit për President.
Përparim Kalo është 64 vjeç, avokat i njohur dhe rreth dy vite më parë u zgjodh si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
“Mbështetur në përvojën e tij si jurist dhe punën në institucionet shtetërore, integritetin personal e profesional, pavarësinë nga politika dhe përkushtimin e treguar në interes të zhvillimit të vendit, në përgjigje të ftesës që ju bë shoqërisë civile për të bërë propozime, dëshirojmë të propozojmë z. Përparim Kalo si figurë me dinjitetin e duhur për të qenë President i Republikës së Shqipërisë,” thuhet në letrën e përbashkët të nënshkruar nga 5 prej organizatave të shoqërisë civile.
Falë aftësive të tij profesionale e diplomatike Kalo ka ruajtur vazhdimisht marrëdhënie të ngushta me organizata kombëtare e ndërkombëtare prej vitesh. Ai ka shërbyer edhe si Konsull Nderi i Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri”.
“Ai di të qëndrojë mbi partitë politike dhe të përputhë interesat e shtetasve me ato të politikës, por brenda normave kushtetuese, çka është me rëndësi kur kemi parasysh funksionet e rëndësishme që ushtron Presidenti i Republikës,” thuhet në një tjetër letër mbështetëse.
Në propozimin drejtuar Kuvendit theksohet mbështetja që “Kalo i ka dhënë kauzës së ndihmës humanitare të emigrantëve nga Kosova të ardhur në Shqipëri gjatë luftës në vitin 1999 si dhe nënvizoi pavarësinë e tij nga politika”.
“Ai ka qenë flamurtar në inciativat nxitëse të përgjegjësisë sociale të biznesit dhe të fushatave për fytyrën njerëzore të biznesit si dhe në luftën për mbrojtjen e mjedisit dhe atë kundër korrupsionit, Ai është personi i duhur për të mbrojtur interesat e Shqipërisë e të Shqiptarëve kudo që ata jetojnë.” argumentohet në këtë propozim. Në një tjetër letër vlerësohet kontributi i tij si një ndër themeluesit e qendrës për zgjidhjen e konflikteve, projekt pionier në këtë fushë mbështetur nga DANIDA.
Kalo punoi me përkushtim për rreth 7 vjet edhe si anëtar bordi dhe u përfshi në grupin e punës me juristë të shquar në hartimin e ligjit të parë për ndërmjetësimin”- thuhet më tej në letër.
Në dokumentin e firmosur nga shoqëria civile thuhet se: “Kalo ka kryer studime universitare në Shqipëri dhe program pasuniversitar Masteri për të drejtën amerikane dhe ndërkombëtare të kombinuar në SHBA, Hungari e Suedi. Në karrierën e tij profesionale shënohet zyra e avokatisë Kalo and Associates, e themeluar prej tij.
Ajo renditet lart dhe përfaqëson e këshillon disa nga shoqëritë dhe organizatat më të mëdha botërore si dhe bizneset dhe sektorin publik në Shqipëri.
Kalo njihet edhe si mbështetës i artit dhe për galerinë që mban emrin e tij, por edhe për mbështetjen ndaj Galerisë Kombëtare të Arteve dhe institucioneve të tjera publike. Ai është dekretuar nga Mbretëresha e Danimarkës dhe dekoruar nga Presidenti i Austrisë si dhe ka marrë çmime e vlerësime të rëndësishme brenda e jashtë vendit”.