AKTUALITET, 27 Prill 2022, 10:32

Belinda Balluku tregon projektin e ri: Do ta kthejë Shqipërinë në qendër të furnizimit me gaz në rajon

Belinda Balluku tregon projektin e ri: Do ta kthejë Shqipërinë

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku lajmëroi sot një projekt që do të bëjë lidhjen e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë nëpërmjet tubacionit Fier -Vlorë.

Në një tryezë me kompani nga SHBA dhe BE, ministrja tha se do të nisin diskutimet me aktorët që kanë shfaqur interes për realizimin e këtij projekti, që synon ta kthejë Shqipërinë “si qendër jo vetëm të furnizimit me gaz por si një kontributor në sigurinë energjetike të rajonit e pse jo të Evropës”.

“Zhvillimet e fundit gjeopolitike kanë evidentuar dobësitë në peizazhin energjetik aktual. Varësia nga gazi rus ka lënë të ekspozuar mjaft vende të rajonit e Evropës duke kërcënuar sigurinë energjetike.

Projekti ynë ku një nga komponentët kryesorë është lidhja e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë nëpërmjet tubacionit Fier -Vlorë ka tërhequr vëmendjen e aktorëve më të mëdhenj të sektorit të gazit.

Deri para pak kohësh injektimi i gazit të lëngshëm nga Vlora në TAP do ishte pritur me shumë skepticizëm.

Sot për shkak të pasojave të krizës energjetike, është e mundur e i zbatueshëm, por dhe çelësi fitues i këtij projekti.

Sot do të zhvillojmë një projekt që do të transformojë pozitën tonë e do të pozicionojë vendin tonë jo vetëm si qendër të furnizimit me gaz por si një kontributor në sigurinë energjetike të rajonit e pse jo të Evropës”, tha Balluku.