TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Thuajse një vit më parë Simone Inzagi provoi gëzimin e tij të parë në stolin e Interit, kur më 12 janar fitonte Superkupën e Italisë përballë Juventusit në “San Siro”.
Pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt falë penalltisë së Lautaros e golit të MeKenit, u desh një gol i Aleksis Sançezit në minutën e fundit të kohës shtesë, atë të 121-të, për të shmangur penalltitë dhe për t’u dhuruar trofeun zikaltërve. Ekzaltimi i trajnerit për këtë sukses u pa në festimet e tij në përfundim të sfidës, të përjetësuara nëpërmjet fotografive, të cilat 44- vjeçari i komentoi për “SportMediaset”.
“Ishte një shkrepje e bukur kjo e festës sime që më treguat. Por pastaj vura re që djemtë kishin shkuar në krahun e kundërt të fushës dhe nuk e kisha kuptuar nëse arbitri kishte vërshëllyer fundin e ndeshjes.
Nëse do ta dija që kishte mbaruar atëherë me shumë mundësi do të kisha vazhduar të vrapoja dhe nuk do të kisha ndalur deri në përqafimin e lojtarëve të mi”, tregoi Inzagi, gjithmonë i përfolur për marrëdhëniet e ngushta që krijon me grupin e tij të lojtarëve.
MARRËDHËNIET – Duke u ndalur te raportet njerëzore që janë në bazë të çdo eksperience profesionale që ka krijuar që nga nisja e eksperiencës së tij në stolin e Lacios, trajneri i Interit tregoi si arrin të ruajë balancat.
“Në të gjitha vitet në të cilat kam drejtuar një skuadër, di t’ju them që askush nuk ka treguar mungesë respekti ndaj meje dhe kjo është gjëja që ka më shumë rëndësi.
Dihet dhe unë e kam thelbësore që të kem një raport të mirë me stafin tim teknik ashtu si me lojtarët, por gjithmonë duke respektuar rolin e gjithsecilit. Për sa kohë respekti është në bazë të marrëdhënieve, çdo gjë funksionon si duhet”, u shpreh Inzagi që tashmë do t’i duhet të përgatisë një tjetër finale Superkupe, atë ndaj Milanit më 18 dhjetor.