TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nga një gol për pjesë dhe Juventusi vazhdon misionin “rikuperim” në kampionat.
Këtë herë viktima është Specia, e cila sidomos në fillimin e pjesës së dytë, për të paktën 20 minuta, e dominon absolutisht “Zonjën e Vjetër”, por kur Di Maria zbret në fushë dhe në rastin e parë që gjen të lirë pozicionin për të goditur dërgon në portë një diagonale nga distanca, historia përfundon. Argjentinasi, i lënë pushim nga Alegri në pritje të transfertës franceze me Nantë, zbret në fushë në të 56- ën dhe pas vetëm 10 minutash godet rivalët, në momentin e tyre më të mirë, duke dërguar shifrat në 2-0 dhe mbyll llogaritë me tri pikët e radhës.
Sfidën për Juven e kishte zhbllokuar Ken, në të 32-ën e pjesës së parë, me një goditje fluturimthi, pas asistit të nëntë sezonal të serbit Kostiç, gjithmonë e më i pazëvendësueshëm për Alegri. Gjithsesi, fotografia e ndeshjes së djeshme në Specia është se pa Di Marian ky Juventus nuk mund të bëjë, pasi është i vetmi që ndez fantazinë dhe rrezikshmërinë në sulm.
PREMTIMI I DI MARIAS Dhe menjëherë pas ndeshjes së djeshme, gazetari i rrjetit “DAZN” e etiketoi Angel Di Marian si snajperistin, “mister Wolf”: “Nuk e kam parë kurrë këtë film, por sa herë që luaj unë zbres në fushë për të ndihmuar skuadrën. Jam shumë i lumtur për golin, pas asistit të fundit që kisha bërë për Kiezën. Madje e doja një gol të tillë, sepse të çliron, të jep një marsh më shumë dhe mbi të gjitha na ndihmoi që të mbyllnim një ndeshje shumë delikate”, bën hyrjen e tij Di Maria.
Për Juven ishte sërish një ndeshje me një ritëm të lodhshëm, e vështirë për t’u menaxhuar dhe lidhur me këtë, argjentinasi shpjegon: “Mendoj se shpesh jemi disi të lodhur, jo në aspektin fizik, por në atë psikologjik. Pikësëpari sepse po luhen shumë ndeshje dhe mbi të gjitha në kampionat, shumica e skuadrave zgjedhin të luajnë në kundërsulm dhe jo një futboll të hapur, ofensiv. Kështu që çdo ndeshje bëhet e vështirë të jesh i duruar, të kërkosh të zgjidhësh ndeshjen. Gjithsesi, ne po punojmë dhe po përpiqemi që të ngremë kokë dhe të përmirësojmë lojën tonë, diçka që është tepër e rëndësishme”.
Ndërsa renditja në Serinë A lëviz, të enjten është një objektiv që nuk mund të sfumojë. “Sa shanse kemi me Nantën? Aq shumë saç beson i gjithë grupi ynë, të gjithë tifozët e Juves, e gjithë Torino… Duam të kalojmë dhe e meritojmë të kalojmë, duke parë se çfarë bëmë edhe në ndeshjen e vajtjes. Barazimi ishte gënjeshtar ndaj Nantë, por do të kërkojmë të kalojmë në fazën tjetër të enjten, pasi e dimë rëndësinë që mbart në vetvete kjo ndeshje e Ligës së Europës. Jam i bindur që kalojmë ne”, u shpreh pas ndeshjes, Angel di Maria.
JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL