SPORT, 19 Dhjetor 2021, 15:26

Barcelona konkretizon ofertën për Kavanin, një “thes” me bonuse për sulmuesin!

Barcelona konkretizon ofertën për Kavanin, një “thes”

Barcelona është gjendur në mënyrë të papritur me forca të reduktuara në sulm, duke qenë se Serxho Aguero tashmë i ka dhënë lamtumirën klubit si pasojë e problemeve kardiake. Lojtari argjentinas e pati të pamundur të vazhdonte aventurën me katalanasit, ndërsa tashmë spanjollëve iu lind detyra për ta zëvendësuar "El Kun".

Në fokusin kryesor të Barcelonës është Edinson Kavani. Uruguajani nuk ka hapësira në radhët e Manchester United dhe në këtë formë është i hapur për të provuar një eksperiencë të re. Sakaq, janë zbuluar edhe detajet e kontratës së ofruar nga Barcelona për sulmuesin.

Bëhet fjalë për një kontratë me kohëzgjatje prej një viti e gjysmë, nga e cila deri në muajin qershor Kavani do të përfitojë 3.5 milionë euro, plus 1 milionë të tjera në formën e bonuseve. Ndërkaq, në vitin pasardhës, Kavani do të përfitonte 4.5 milionë euro dhe 1.5 të tjera në formën e premiove. Tashmë, topi është në këmbët e 34-vjeçarit dhe të vendosë nëse ai do ta pranojë propozimin apo jo.