SPORT, 19 Maj 2024, 21:09

Barcelona fiton me tre gola ndaj Rayo Vallecanos, siguron vendin e dytë

Barcelona fiton me tre gola ndaj Rayo Vallecanos, siguron vendin e dytë

Barcelona ka arritur të shënojë fitore ndaj Rayo Vallecanos me rezultat 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 37-të të La Ligas.

Ndeshja u zhbllokua që në start, kur Lamine Yamal asistoi te Robert Lewandowski i cili në minutën e tretë shënoi për 1-0.

Florian Lejeune dhe Sergio Camello kishin raste që të barazonin rezultatin, por nuk ia arritën.

Në fillimin e pjesës së dytë, të dy skaudrat kishin nga një rast, kur Alvaro Garcia rrezikoi për Rayon, ndërsa Fermin Lopez tentoi për Barcelonën, por nuk ia dolën.

Pas minutës së 70-të, ishte radha e Pedit që arriti të shënojë dy herë për t’i dhënë fund dilemave për fituesin.

Deri në fund nuk kishte më gola të tjerë dhe Barcelona merr fitoren e 25-të sezonale që ia siguron pozitën e dytë në renditje me 82 pikë, katër më shumë se Girona që është e treta.