TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Bajern Mynih-Bajer Leverkusen do të ndezin “motorët” e javës së 4-t në Bundesligë. Të dyja kampet qëndrojnë në kuotën e 9 pikëve pas 3 raundesh dhe përfundimi i takimit në fjalë do të krijojë ide më të qartë, ndonëse kampionët gëzojnë “kartat” më të rrezikshme në çdo repart të fushës. Trajneri i bavarezëve, Tomas Tuhel, ka kryer rutinën përpara sfidës me prononcimin në media, e ku temat e diskutuara nga 50-vjeçari gjermanë kanë qenë jo të pakta, nga situata e Nojerit, rivali, Ksabi Alonso e deri te forma e grupit.
KUNDËRSHTARI-“Leverkusen ka treguar se ka fytyrë tjetër këtë sezon. Me ndihmën e trajnerit Ksabi Alonso ata janë forcuar tej mase, shto blerjet në merkaton e verës. Ballafaqimin po e pres për të matur forcat me vendin e parë në tabelë. Cikli sapo ka nisur dhe forma e ekipit kërkon kohë, megjithatë ne jemi gati”, tha Tuhel.
“HOMOLOGU”- “Alonso arriti ta nxjerrë ekipin që drejton nga një periudhë aspak e lehtë vitin e shkuar. E them me krenari se prej tij kam mësuar shumë rreth futbollit, mënyra se si menaxhonte lojën dhe kombinimet me shokët e ekipit te Bajerni, i jashtëzakonshëm. Kënaqësi ta shikoja në fushën e blertë. Këtë magji rivali në duelin e sotëm do përpiqem ta përcjell edhe te lojtarët e Leverkusenit”.
GJENDJA E NOJERIT- “Manueli ishte shumë afër rikthimit, por i doli problemi në këmbë dhe tashmë duhet të presë edhe disa ditë të tjera. Asgjë shqetësues, por i nevojitet ende kohë. Nuk duam të rrezikojmë pas pritjes jo të shkurtër. Udhëzimet nga stafi mjekësor na e kanë bërë të qartë se javën e ardhshme portieri ynë do të stërvitet sërish. Entuziazmi i Nojerit është aty dhe më vjen mirë që po e pret me padurim marrjen e detyrës si numri 1 në kuadrat”, shtoi trajneri i kampionëve në Bundesligë.
KRAHASIMI MES PYKAVE- “Kejnin dhe Bonifejsin i bashkon vetëm goli dhe pozita në fushë, ama në karakteristikat që zotërojnë i vënë në plane të ndryshme. Herri ishte futbollisti që na mungonte, tashmë e kemi dhe jam shumë i lumtur me të. Personaliteti i tij na jep më tepër besim. Grupi duhet ta furnizojë sa më shumë ‘Kejn’-ë në zonën mike, pasi kështu do të lidheshim si një trup. Bonifejs është përshtatur mjaft mirë me Leverkusenin. Gjithsesi, e kam të vështirë për të realizuar krahasimin mes tyre”.
KRIZA NË MEDIA- “Nuk do të dëgjoni asgjë nga unë rreth këtyre çështjeve. Kristof Frojnd është personi i vetëm që unë do të kontaktoj çdo ditë rreth lojtarëve dhe ai do të merret më pas në mbarëvajtjen e transferimeve. Kështu do të jetë në vazhdim”, pohoi ish-tekniku i PSG-së. Pas mbylljes së merkatos, e cila vuri në dukje mungesën e lojtarit me profilin 6 dhe mbrojtës i djathtë, shkaktuan jo pak irritime te Tuheli, aq sa ai të shprehej publikisht se ekipi kishte mangësi në prapavijë. Hënes dhe Dresen po ashtu iu kundërpërgjigjën publikisht 50-vjeçarit se ai nuk duhet të justifikohet më.
SITUATA E “PANCERAVE”- “Periudhë e vështirë te Gjermania. As Rudi Fëler nuk e kishte imagjinuar se do të drejtonte në këto kushte përfaqësuesen. Fitorja duket se i ka qetësuar në shumë drejtime. S’mund të flas më tepër për detaje që janë të panjohura”.
OPSIONI NAGELSMAN- “Jam i bindur se Juliani mund ta bëjë pa problem detyrën e trajnerit te Gjermania. Nuk besoj se ka për të dështuar, aq më tepër kur ka njohje me një pjesë jo të vogël nga kontingjenti. Konkludimi u mbetet palëve, pra nëse përputhen objektivat mes tyre”, ceku pasuesi i Nagelsmanit te Bajerni.
GRUPI- “Gorecka po ecën shumë mirë në stërvitje dhe do të jetë në dispozicion në duelin e radhës. Riaftësimi i Musialës ka shkuar sipas planit dhe me shumë gjasa do të jetë titullar. Kimish nuk na ka dhënë siguri deri në këtë pikë, prandaj vendimi do të merret vetëm pak para sfidës”, u shpreh jo i sigurt “timonieri” i rekordmenëve gjermanë.
POZICIONI I DE LIGTIT- “Ne kishim nevojë në mesfushë kundër M’Gladbah sepse Laimer inkuadrohet në të djathtë dhe e ngjitëm De Ligtin përpara mbrojtjes. Matajs e kreu saktë detyrën në minutat finale dhe nëse do të na duhet sërish aty nuk do të hezitoj. Por roli i tij përkon me mbrojtës qendre, çka do të thotë se ai do të luftojë me Kimin dhe Upamekanon”, përfundoi Tomas Tuhel. Vlen të ceket se në “përplasjen” e sotme do të jetë në fushë edhe futbollisti me origjinë kosovare, Granit Xhakës.