SPORT, 15 Shtator 2023, 09:19

Më mirë vonë se kurrë, por rasti i Asanit nuk duhet të përsëritet / Shkëlqeu në Superiore, ftesa si kuqezi mungoi gjatë

Më mirë vonë se kurrë, por rasti i Asanit nuk duhet të

Më mirë vonë se kurrë. Kjo është shprehja, e cila vlen sot për Jasir Asanin. Të paktën ngushëllimi është që prej muajit mars, anësorin e shohim të veshur me fanellën e ekipit kombëtar dhe duke parë ato që ka dhënë në pesë ndeshjet e para, përveçse është një bast i fituar nga Silvinjo, jemi edhe me fat që 28-vjeçari nuk ka kaluar te kombëtarja e Maqedonisë së Veriut.

Luajti, shkëlqeu dhe fitoi titullin me Partizanin në Shqipëri, u transferua në Hungari dhe nuk iu dha asnjëherë mundësia për të veshur fanellën e Kombëtares, as nga Kristian Panuçi dhe as nga Edi Reja, (dy ish-trajnerët italianë të ekipit përfaqësueses para Silvinjos) edhe pse së fundmi ai pranoi se ka qenë në kontakte edhe më parë me FSHF-në.

Lojtarit të lindur në Shkup, iu desh që të transferohej në Korenë e Jugut dhe nëpërmjet videove gjatë ndeshjeve, braziliani i besoi dhe rezervoi një ftesë për të, çka Asani e ka shpërblyer tepër mirë deri tani.

Është për të ardhur keq që janë humbur disa vite nga ky futbollist, dhe FSHF-ja duhet të jetë më e vëmendshme në raste të tilla, sepse Jasiri këtu ka qenë prej disa sezonesh.

Siç krenohemi me Cikalleshin, Uzunin apo Muçin që kanë dalë nga kampionati vendës, kjo strategji duhet të vazhdojë aktualisht dhe në të ardhmen, pasi janë ende pak emra për një grup me 24-25 futbollistë.

Kështu që vëmendja duhet të kthehet gjithmonë edhe nga fidanishtja jonë, si në Kombëtaren A ashtu edhe te Shpresat apo edhe më poshtë, pasi Berisha, Strakosha, Gjimshiti, Hysaj, Balliu, Ismajli, Kumbulla, Bare, Bajrami, Asllani, Broja apo Shpendi, Medon Berisha e Pajaziti dhe shumë të tjerë nuk janë formuar në Shqipëri.