SPORT, 9 Prill 2023, 17:38

Anulimi i ndeshjes Kastrioti-Bylis, pas kërcënimit me jetë të arbitrave, reagojnë krutanët: Po na prishet imazhi!

Anulimi i ndeshjes Kastrioti-Bylis, pas kërcënimit me jetë
Foto ilustruese: Ekipi i Kastriotit

Një skandal ka mbërthyer futbollin shqiptar. Një orë para nisjes, ndeshja mes Kastriotit dhe Bylisit e vlefshme për javën e 28 të Superligës, është anuluar nga federata e futbollit. Arsyeja e kësaj mase drastike sipas FSHF-së ka ardhur pasi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë.

Asnjë nga gjyqtarët nuk ka pranuar të marrë përsipër organizimin e ndeshjes dhe për pasojë është zbuluar edhe situata e rëndë. Për këtë çështje janë vënë në dijeni edhe organet kompetente të cilat po hetojnë atë që ka ndodhur.

FSHF pranon se një javë më parë në ndeshjen Kastrioti-Laçi është anuluar një gol i rregullt për kurbinasit, pasi arbitri Kreshnik Barjamaj dhe ndihmësit e tij janë kërcënuar me jetë. Kjo ndodhi në një moment kur ndeshja ishte 1-1 dhe në vijimësi Kastrioti arriti të fitonte. Për shkak të humbjes së ndeshjes Laçi më pas shkarkoi trajnerin Gentian Mezani.

“Ditën e djeshme arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar dhe kjo ngjarje është duke u hetuar nga organet kompetente. Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme. Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla”- thuhej në njoftimin e FSHF-së.
Ndërsa Kastrioti e quan një ‘histori të shëmtuar’ dhe shtoi se ‘distancohet nga këto ngjarje’, duke kërkuar edhe hetimin nga autoritet. Klubi krutan ndër të tjera tha se ‘këto akuza prishin imazhin e klubit dhe mbi të gjitha të futbollit shqiptar’. Kastrioti bën thirrje që çështja të zbardhet sa më shpejt.

"Pas njoftimit zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit për shtyrjen e ndeshjes Kastrioti-Bylis për një datë të pacaktuar, ku në njoftimin e mbërritur deklarohet që arbitrat janë kërcënuar, klubi Kastrioti është i detyruar të dalë me këtë reagim. Ne si klub distancohemi nga këto akuza dhe bëjmë thirrje organeve kompetente që të zbardhin sa më shpejt këtë histori të shëmtuar, e cila prish imazhin e klubit tonë, por dhe të futbollit shqiptar në përgjithësi. Në deklaratën e Federatës Shqiptare thuhet që edhe në ndeshjen e javës së kaluar midis Kastriotit dhe Laçit arbitrat paskan qenë të detyruar që nga kërcënimet të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Ne jemi të gatshëm të përballemi me realitetin dhe i bëjmë thirrje organeve kompetente të marrin masa të menjëhershme dhe të zbardhin të vërtetën për këtë akuzë të rëndë. KS Kastrioti distancohet në mënyrë kategorike nga çdo lloj ngjarje që njollos lojën e bukur të futbollit"-thuhet në reagimin e ekipit krutan.