TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

“Unë nuk kënaqem kurrë”. Kështu e nis Vlahoviç rrëfimin e tij për gëzimet, zhgënjimet dhe objektivat që ka në të ardhmen. Ai njëherazi na tregon edhe mentalitetin dhe formimin që ka. “Nuk dua të shkoj 40 vjeç edhe të kem keqardhje për gjërat që nuk munda të bëj, prandaj edhe përpiqem që të përmirësohem çdo ditë”, shton ai. Ndoshta për këtë miku i tij dhe motivuesi më i madh, Federiko Gati, i ka sugjeruar që të lexojë librin “I paepuri” të Tim Grover, ish-trajneri i Majkëll Xhordanit.
Vlahoviç, goli kundër Interit erdhi 71 ditë pas golit të fundit që kishit shënuar. Si jeton një qendërsulmues në shterpësi?
Unë nuk kisha asnjë ankth. Nuk njoh asnjë sekret tjetër për të dalë nga kriza, përveçse punës së përditshme. Futbolli, njësoj si jeta, është me ulje dhe ngritje, por ama diferencën e bën koka. Duhet të qëndrosh i kthjellët dhe të mos kushtëzohesh nga rrethanat. Vetëm kështu e ndihmon skuadrën. Kur zhbllokohesh pastaj, vijnë të gjitha të mirat bashkë.
Barazimi me kryesuesit ua shtoi vetëbesimin për forcën që keni?
Ne e dimë që jemi të fortë, por barazim me favoritët për titullin na bindi akoma më shumë se ne do të jemi aty në krye deri në fund për ta luajtur me Interin.
Është e vërtetë ajo që tha Rabio se në dhomat e zhveshjes juve flisni shpesh për titullin?
Lojtarët duhet të kenë ëndrra që të mund të luftojnë për diçka. Secili pastaj ka edhe objektiva personalë. Prioriteti i Juves është që të arrijë mes 4 të parave dhe të luajmë sërish në Champions. Më pas do të shohim se ku jemi dhe çfarë mund të bëjmë. Të gjithë në grup e kemi dëshirën të madhe për të fituar, sepse na e imponon fanella që veshim.
Cili është objektivi juaj personal?
Të ndihmoj sa më shumë skuadrën. Golat dhe paraqitjet e mia kanë të bëjnë vetëm me grupin.
Këtë sezon keni shënuar 3 nga 5 golat me këmbën e djathtë, që është këmba juaj “e dobët”. Ka ndonjë sekret?
Jo, është thjesht fryt i punës. Përmirësimin e kërkoj unë që jam i ri, por e bëjnë edhe ata që janë më të mëdhenj në moshë. Shikoni se çfarë bën ende Kristiano Ronaldo, edhe pse është në fund të karrierës tenton të përmirësohet çdo ditë. Ky është qëllimi. Vetëm kështu mund të bëhem një futbollist i kompletuar. Por sekreti është që të mos ndalesh kurrë. Futbolli megjithatë i ka kaluar shumë caqe, sepse tani nuk mund të jesh më “top” nëse ke shumë defekte. Unë nuk neglizhoj asgjë dhe shpresoj që koha të më japë të drejtë.
Kjo ka qenë një verë e mbushur me dëmtime, por edhe me zëra merkatoje. Na thoni të vërtetën, çfarë po ndodhte me ju?
Unë nuk kam përjetuar ndonjë verë ndryshe. Thjesht kam bërë punën time, madje isha i qetë edhe kur humba miqësoren me Milanin në turneun amerikan. Mirëpo këtu (në Itali) çfarë nuk thuhej…(qesh).
Nuk keni menduar asnjëherë që të largohesh nga Juvja?
Jo, kam menduar gjithnjë si pjesëtar i këtij klubi të madh. Kam qenë gjithnjë i bindur se doja të qëndroja, nuk kisha asnjë tundim. PO të dëgjosh të gjitha gjërat që thuhen tani në rrjetet sociale mund të çmendesh. Seriozisht. Por unë u izolova dhe thjesht bëra punën time. Kjo është ajo që unë dua të bëj.
Kur e sheh Juven nga brenda, a është si e kishit imagjinuar?
Është më mirë nga sa e kisha imagjinuar. Vetëm kur je pjesë e këtij klubi e kupton madhështinë e tij dhe gjithçka që atë e rrethon. Të gjithë do të donin të ishin në vendin tonë tani. Nuk kam dyshime për këtë. Unë gjithnjë kam dashur të qëndroj bardhezi dhe jam shumë i lumtur.
Si ka lindur miqësia juaj me Gatin?
Që në ditën e parë të stërvitjes e pamë që shumë gjëra na përputheshin. Jam i befasuar se si ka ardhur deri këtu, duke e ditur se sa ka vuajtur në të shkuarën. Historia e tij mund të jetë një shembull frymëzimi për fëmijët. “Gatone” është shembulli se si ëndrrat realizohen. Tani dëshiron të më dhurojë edhe një libër. Ai është një djalë i shkëlqyer, por nuk është i vetmi, sepse këtu është vërtetë një grup i mirë me djem të shkëlqyer.
Është e vërtetë se nëse nuk do të ishit bërë futbollist, do të kishit studiuar për mjekësi?
Pas shkollës fillore pata një bisedë me nënën time dhe ajo më propozoi që unë të vazhdoja me futbollin, por paralelisht të përgatitesha edhe për të studiuar mjekësi në të ardhmen. Ramë dakord, por unë më pas kalova në ekipin e parë dhe koha nuk më dilte më për asgjë. U regjistrova edhe në një shkollë të mesme, por ishte e pamundur. Unë ndërkohë e kisha vendosur në kokën time se çfarë do të bëhesha kur të rritesha.
Ju e keni filluar sportin me basketboll, që është edhe një pasion i madh i Alegrit. A keni luajtur ndonjëherë bashkë?
Kur isha 5 vjeç praktikohesha në basketboll, por të gjithë fëmijët e lagjes luanin vetëm futboll. Kështu që unë hoqa dorë. Sa i përket Alegrit, ne na e kanë hequr koshin në “Kontinasa”, sepse mund të dëmtoheshim. Gjithsesi, nëse ai dëshiron të më sfidojë, unë do të jem gati…(qesh). Më pëlqen shumë Alegri sepse është kërkues, është fitues dhe nuk dorëzohet kurrë. Njësoj si unë.
Po, por në fund vendos gjithnjë ai apo jo?
Po, sepse ai është shefi. Por është një bonus i madh për ne të rinjtë që të kesh një trajner që fiton edhe kur jemi në vështirësi. Di si ti bëjë gjërat dhe di të marrë maksimumin. Është fitues dhe kjo më ka bërë përshtypje më shumë tek ai. Juvja ka bërë pak ndryshime, por tani është më e fortë. Si shpjegohet? Kur luan te Juvja duhet të kesh gjithnjë shkëndijën që të bësh gjëra të mëdha edhe kur nuk je në top-formë. Ndryshe nuk je për këtu. Tani e kemi kuptuar më mirë se këtu është.