SPORT, 9 Prill 2026, 17:35

A do të kthehet Konte te Kombëtarja? Moxhi nuk beson

A do të kthehet Konte te Kombëtarja? Moxhi nuk beson

Luçiano Moxhi i konsideron të parakohshme zërat për një rikthim të Antonio Kontes në stolin e Kombëtares. Duke folur për Radio “TuttoNapoli”, ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit komenton kështu situatën.

“Më kujtohet kur thonin se, pasi fitonte kampionatin, Konte do të kthehej te Juventusi, por ai tha: unë jam në Napoli. Dhe duhet të qëndrojë në Napoli. Konte e di se ku mund të ndihet mirë dhe nuk do të shkonte kurrë në situata katastrofike siç mund të konsiderohet Italia e tani. Është një problem kaq i madh sa përfshin gjithë sistemin. Duke njohur Antonion, ju them se ai ndihet mirë në Napoli.

Ai mund të ishte i interesuar për një situatë të organizuar, por Kombëtarja në këtë moment nuk është. Është një disorganizim i organizuar. Mund ta ndjekë, por pa mundësi për sukses nëse nuk ndryshon struktura.

Në Napoli ndihet mirë, është shumë i lidhur me qytetin dhe familjen”, tha ai. Për Moxhin, emri i Kontes është më shumë mediatik sesa një hipotezë konkrete. “Nëse nuk përmenden emra, njerëzit nuk lexojnë. Pra, duhet të shpikësh diçka për të tërhequr vëmendjen. Nëse nuk ka as një president të federatës të caktuar, si mund të flasim për atë që do të shkojë te Kombëtarja? Për të nisur nga e para, sot duhet të rindërtohet gjithçka nga themeli”, tha Moxhi.