SPORT, 7 Prill 2026, 19:16

Çmenduri për Ançelotin, italiani është gati të firmosë deri në Botërorin e ardhshëm

Çmenduri për Ançelotin, italiani është gati të

Karlo Ançeloti është gati të hedhë firmën në kontratën e re me Brazilin ndonëse ka më pak se një vit në drejtimin e tij dhe ekipi nuk është se ka shkëlqyer gjatë kësaj periudhe. Por të gjitha rrugët çojnë drejt rinovimit pasi në Brazil janë të bindur se nuk mund të gjejnë trajner më të mirë se italiani.

Përfaqësues të Federatës Braziliane konfirmuan për “ESPN” se marrëveshja e re është gati dhe ka pëlqimin e palëve. “E kemi diskutuar deri në detaje, kemi folur para se të largoheshim nga Brazili dhe kemi rënë dakord që pasi të mbaronin ndeshjet miqësore, do të firmosin marrëveshjen e re”, tha Samir Çaud i Federatës Braziliane.

“Federata nuk ka probleme të rinovojë dhe as unë nuk kam. Nuk mendoj se do të kemi probleme”, tha vetë Ançeloti rreth kësaj teme.

Burimet e “ESPN” bëjnë të ditur se trajneri i cili kishte kontratë deri në fund të Botërorit 2026, do të rinovojë marrëveshjen deri në vitin 2030, me objektiv edhe Botërorin e ardhshëm. Ai do të ketë të njëjtën rrogë, 10 milionë euro në vit, si asnjë trajner i mëparshëm në stolin e Brazilit. Sipas marrëveshjes, kontrata do të jetë 2+2, që u jep mundësinë palëve për “divorcin” pas dy vitesh.