AKTUALITET, 20 Prill 2018, 09:17

Sot mbahet seanca gjyqësore ndaj 23 protestuesve të Kukësit, priten tensione para gjykatës

Sot mbahet seanca gjyqësore ndaj 23 protestuesve të Kukësit,

Deputetë dhe aktivistë të Partisë Demokratike do të jenë ditën e sotme prezentë në Gjykatën e Apelit të Shkodrës, ku janë ankimuar 23 masat e sigurisë dhënë nga Gjykata për protestuesit e Rrugës së Kombit. Këtë e ka konfirmuar edhe deputeti demokrat nga Qarku i Shkodrës, Bardh Spahia.

Ditën e sotme, në Gjykatën e Apelit të Shkodrës do të zhvillohet seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj 23 protestuesve. Avokatët e tyre mbrojtës kanë apeluar vendimin e Shkallës së Parë të Kukësit që la në burg 11 protestues, 10 në detyrim paraqitjeje dhe 2 në arrest shtëpie.

Seanca e mëparshme u zhvillua në Gjykatën e Tiranës për çështje sigurie. Ajo zgjati rreth 3 orë dhe u shoqërua me tensione brenda gjykatës, ku pati përplasje mes policisë dhe deputetëve të PD-së. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë pati angazhuar rreth 1 mijë policë për mbarëvajtjen e seancës.