TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Santiago Solari ka debutuar me fitore të pastër 4-0 në stolin e Real Madrid, ku është emëruar trajner i përkohshëm derisa klubi të vendosë nëse do të mbajë ish-futbollistin argjentinas apo t’i besojë një prej emrave që qarkullojnë rrotull skuadrës këto ditë që pas shkarkimit të Julen Lopetegui.
Me një formacion ku ishin lënë pushim një pjesë e madhe e emrave të zakonshëm për t’u bërë vend të rinjve si Havi Sançez, Reguijon e sidomos Vinicius, madrilenët kanë dominuar pa shumë probleme në Kupën e Mbretit përballë Melilës, një skuadër e Segunda B që i përket një qyteze koloniale spanjolle që gjendet në Afrikën e Veriut.
Benzema gjeti golin e parë përballë vendasve në minutën e 28, ndërsa në fundin e pjesës së parë Asensio dyfishoi shifrat. Odrizola dhe Kristo në minutat shtesë çuan rezultatin në 4-0 duke siguruar praktikisht kualifikimin e madrilenëve. Kjo bëri që të kalojë disi furtuna, sidomos falë sinjaleve që dha i riu Vinicius i cili tregoi se përkundër asaj që mendonte Lopetegui, mund të luajë në nivele të larta.
Ndërkaq, në ndeshjet e tjera të luajtura sot bie në sy fitorja minimale 1-0 e Barcelonës në fushën e Kultural Leonesa, një tjetër klub i kategorive të ulëta. Me një ekip të përbërë thuajse plotësisht nga të rinjtë, Barça e kishte të vështirë të gjente të cacra në mbrojtjen mike dhe vetëm një goditje e Lengle në shtesën e ndeshjes i dha këtë sukses që gjithsesi nuk komplikon planet për kualifikimin e mëtejshëm.