AKTUALITET, 16 Mars 2018, 11:04

Si i joshte kapoja shqiptarët e tjerë në Itali: Eja e vidh, nuk të gjen asgjë

Kapoja e bandës shqiptare të grabitjeve që u bënë makth për italianët është një shqiptar vetëm 26-vjecar.Mediat italiane shkruajnë sot se i riu kishte një taktikë të thjeshtë për të joshur e bindur shqiptarët e tjerë që të bëheshin pjesë e bandës së tij të grabitjeve. “Eja në Itali e vidh, nuk të ndodh asgjë”. Kështu u thoshte ai të tjerëve që i merrte nga Shqipëria dhe i bënte pjesë të bandës.

 Fjalët janë vetëm një pjesë e përgjimeve që policia italiane përdori para se të binte në gjurmën e grabitësve të pikave të karburanit, banesave dhe trafikut të drogës. Bëhet fjalë për bandën e arrestuar në Milano vetëm pak ditë më parë, me djem të moshave 20 deri 26-vjecarë, në akuzë për grabitjen e 14 banesave, 14 pikave karburanti dhe 2 grabitje apartamentesh.

Mësohet se banda kishte arritur në zonat milanezë dhe kishte bërë goditjen e parë në 12 janar, në një pikë karburanti. Kapoja njihte mirë zonën, por edhe se si funksiononte drejtësia dhe ligji në vend.

“Këtu nëse të kapin bën 24 orë burg në qeli dhe pastaj del i lirë”- thoshte ai. Përgjimet zbuluan se ai kishte një listë të gjatë me personat që kishin dëshirë t’i bashkoheshin në bandë.