LIFESTYLE, 28 July 2026, 17:27

VIDEO/ Përmbyset ajsbergu gjigant në Groenlandë, pamjet spektakolare bëjnë xhiron e rrjetit

Një fenomen natyror spektakolar, por edhe potencialisht i rrezikshëm, është regjistruar në Groenlandën perëndimore, ku një ajsberg gjigant u përmbys në det, duke krijuar valë të fuqishme.

Ngjarja ndodhi pranë qytetit Ilulissat, një zonë e njohur në mbarë botën për ajsbergët e mëdhenj që shkëputen nga akullnaja Jakobshavn. Momenti i përmbysjes u filmua nga banorë dhe turistë, ndërsa pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.

Në video shihet masa kolosale e akullit, me përmasa sa të paktën dymbëdhjetë shtëpi, teksa përmbyset dhe bie në det, duke gjeneruar valë të mëdha që përhapen në të gjithë zonën përreth. Sipas autoriteteve lokale, pavarësisht fuqisë së fenomenit, nuk janë raportuar persona të lënduar apo dëme materiale.

 

Ekspertët theksojnë se përmbysja e ajsbergëve është një proces natyror që ndodh kur ndryshon ekuilibri i masës së akullit, megjithatë këto ngjarje mund të krijojnë valë të rrezikshme për mjetet lundruese dhe zonat bregdetare që ndodhen pranë.