AKTUALITET, 3 Shtator 2018, 13:08

Shtyhet data për projektligjin e Teatrit, a po tërhiqet mazhoranca?!

Shtyhet data për projektligjin e Teatrit, a po tërhiqet mazhoranca?!

Dekreti i Presidenti të Republikës, që kthente në Kuvend për shqyrtim projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, ishte parashikuar të shqyrtohej në datën 13 Shator në Kuvend. Por, pas paralajmërimit të opozitës, për "luftë" dhe destabilitet, nëse ky projektligji rikthehet në Kuvend, duket se mazhoranca ka nisur të mendohet. Si fillim, është vendosur shtyrja e datës kur do të shqyrtohet projektligji, nga data 13 Shtator për në datën 20 Shtator.

Ulsi Manja, deputeti i Partisë Socialiste, u shpreh se ky projektligj do të kalojë sërish në Komision, ku do të diskutohen shqetësimet që ka parashtuar Presidenti i Republikës në dekretin e tij.

"Në kalendar janë të depozituara të gjitha projektligjet. Një ndër to është edhe dekreti i presidentit për çështjen e Teatrit. Ky dekret, u kërkuar nga komisioni përgjegjës, që ky dekret të mos jetë në seancën e datës 13 por atë të datës 20, sepse komisioni përgjegjgës ka nevojë për kohë. Do të kalojë fillimisht në Komisionin përgjegjës, pastaj do t'i kalohet kuvendit. "

Mbetet për t'u parë nëse mazhoranca do të reflektojë lidhur me projektligjin që shkel Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar kulla, apo thjesht do të shtyjë në kohë këtë projekt, për të evituar përplasjet që në nisje të sesionit parlamentar.

Presidenti i Republikës e ka kthyer projektligjin për shqyrtim duke renditur 9 arsye dhe shkelje flagrante të tij. Sipas Presidencës, ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar, ndër të tjera, nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik,   shkel parimin e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe është në kundërshtim me standartet e BE-së.

Nëse mazhoranca do të vijojë me planin për miratimin e projektligjit në 20 Shtator, atëherë votat e shumicës do të mjaftojnë për të nisur shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave të firmës "Fusha.sh.p.k".

/TPZ.AL/ 

LEXO EDHE: 

http://www.tpz.al/2018/07/20/investigimi-i-birn-shfrytezimi-i-tokes-publike-te-teatrit-dhe-fitimet-e-majme-te-fusha-sh-p-k/