AKTUALITET, 4 Prill 2018, 12:08

"Shtetrrethimi", protestuesit: Nuk e lejojmë diktaturën, ta harrojë Rama dhe Xhafaj! (video)

Qyteti i Tiranës sot është pushtuar nga forca të paumërta policie, të cilat kanë rrethuar Gjykatën e Tiranës dhe rrugën që të çon në këtë gjykatë. Kjo është një përpjekje e forcave të rendit për të ndaluar protestuesit dhe familjarët e të arrestuarve, në mënyrë që ata të mos kenë asnjë mundësi të futen në gjykatë.

Në videon e publikuar nga Lulzim Basha, duken qartë forcat e shumta të policisë që kanë pushtuar qytetin, por edhe qytetarët të cilët shprehen se nuk do ta lejojnë vendosjen e diktaturës. (shih videon)

Mëngjesin e sotëm ka nisur seanca gjyqësore për kuksianët e arrestuar në Rrugën e Kombit, ku do të caktohet edhe masa e sigurisë ndaj tyre. Seanca ka qeneë me dyer të mbyllura dhe media nuk është lejuar brenda. Disa deputetë të opozitës janë lejuar në sallë. Ata kanë nisur transmetimin LIVE të seancës nëpërmjet rrjeteve sociale, por edhe kjo përpjekje e tyre ka dështuar, pasi nuk janë lejuar të vazhdojnë filmimet.

Ndërkohë familjarët e të arrestuarve por edhe qytetarë të tjerë, kanë protestuar në krahun tjetër të rrugës, me parrulla kundër kryeministrit Edi Rama ku shkruhej "Më është ngritur Rama", për të ironizuar deklaratën e kryeministrit në parlament, ku u "mburr" se populli nuk ngrihet edhe pas thirrjeve të Lulzim Bashës.

Disa nga familjarët kanë deklaruar se situata do të përshkallëzohet nëse të afërmit e tyre nuk lirohen nga burgu.

/TPZ.AL/