TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shqipëria do të përballet sot në mbrëmje (20:45) me Poloninë, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, Grupi I zonës europiane.
SI VIJNË SKUADRAT
Kjo do të jetë sfida e katërt e Kuqezinjve të drejtuar nga italiani Edi Reja, që në tri të parat ka arritur dy fitore (me Andorrën 0-1 dhe San Marinon 0-2, të dyja jashtë fushe), ndërkohë që ka humbur 0-2 me Anglinë në “Air Albania” në kryeqytet.
Në dy ndeshjet e fundit miqësore, Shqipëria barazoi pa gola në Uells dhe humbi 3-1 me Çekinë, që të dyja në transfertë.
Polonia nga ana e saj vjen në përballjen e 12-të historike me Shqipërinë, pas tri ndeshjesh me rezultate të ndryshme: barazoi 3- me Hungarinë, fitoi 3-0 me Andorrën dhe humbi 2-1 me Anglinë.
RENDITJA NË GRUP
Pas tri ndeshjeve të para, Shqipëria ka grumbulluar gjashtë pikë (vendi i 3-të në grup), ndërsa Polonia vetëm katër pikë, vendi i katërt nga gjashtë skuadra të grupit I.
Ndeshja Poloni-Shqipëri do të gjykohet nga një katërshe arbitrash italianë, të kryesuar nga Mauricio Mariani.
DEKLARATAT
Kapiteni i Shqipërisë, portieri Etrit Berisha, gjatë konferencës për shtyp u shpreh: “Polonia është ekip shumë i mirë, edhe pse ka disa lojtarë që nuk janë për shkak dëmtimesh. E rëndësishme është të bëjmë mirë si skuadër dhe nuk ka rëndësi kush luan. Kanë yje të nivelit të lartë si Leva, por jemi mësuar çdo javë të kemi përballë lojtarë të rëndësishëm”.
Kapiteni i Polonisë, sulmuesi Robert Levandovski, lavdëroi mbrojtjen e Kombëtares tonë duke u shprehur se nuk do të kenë mjaft hapësira në sulm. “Ne nuk mund të kualifikohemi pa kaluar këto ndeshje më parë, ndeshja e radhës është me Shqipërinë. Duhet të jemi të qetë gjatë ndeshjes me Shqipërinë, duhet të luajmë topin shpejt”.
FORMACIONI I MUNDSHËM I SHQIPËRISË
Edi Reja do të propozojë sërish skemën 3-5-2. Në portë do të jetë kapiteni Etrit Berisha, ndërsa 3-shja e qendrës së mbrojtjes do të përbahet nga Kumbulla, Gjimshiti dhe Ismajli. Në mesfushë nga krahët do të veprojnë Hysaj dhe Trashi ndërsa në qëndër të në pritje të Nedim Bajramit do të aktivizohen Abrashi, Gjasula dhe Bare. Në sulm trajneri Reja ka patur më shumë dyshime duke patur parasysh formën e mirë që po kalojnë Broja dhe Uzuni, gjithsesi në këtë repart do të konfirmohen Manaj dhe Cikalleshi.
KOEFICIENTËT E BASTEVE
Kombëtarja polake është dukshëm favorite në letër përballë kuqezinjve tanë, pasi fitorja e tyre kuotohet vetëm 1.50.
Ndërsa triumfi kuqezi kuotohet 6.50, barazimi 4.20 dhe këto koeficiente tregojnë se Shqipëria duhet të japë veçse maksimumin përballë polakëve.
STATISTIKA
Në 11 ndeshjet paraardhëse janë regjistruar 7 fitore për Poloninë, 3 barazime dhe vetëm 1 fitore për Shqipërinë. Fitorja e vetme shqiptare deri më sot i përket 29 nëntorit 1953 në Stadiumin “Qemal Stafa”, ku kuqezinjtë të drejtuar nga hungarezi Miklosh Vadash fituan 2-0 me gola të Loro Boriçit dhe Refik Resmes.
Rezultati më i mire i skuadrës sonë në Poloni i përket 31 tetorit 1984, ku të besuarit e trajnerit Shyqyri Rreli barazuan 2-2 në Stal Mielec, në një ndeshje që arritëm të kryesonim edhe 2-1 (me gola të Omurit dhe Koles).
/TPZ.al/