AKTUALITET, 2 Shtator 2021, 12:51

Gjonaj ikën nga Drejtësia: Mandati katër vjeçar për një ministër është i mjaftueshëm!

Gjonaj ikën nga Drejtësia: Mandati katër vjeçar për

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj nuk do të jetë më pjesë e listës së ministrave në qeverinë “Rama 3”.

Sot gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste kryeministri Edi Rama prezantoi kabinetin e ri qeveritar ku emri i Etilda Gjonaj nuk u përmend në listën e ministrave.

Ajo është caktuar nga Rama në qeverinë e re si sekretare për rolin e gruas. Në vendin e saj, Rama propozoi Ulsi Manjën, i cili deri më tani ka mbajtur postin e kryetarit të komisionit të ligjeve.

Gjonaj u shpreh se këto katër vite në krye të drejtësisë kanë qenë të mjaftueshme për kryerjen e reformave.

Pas zbulimit të emrave që do të jenë pjesë e qeverisë, Gjonaj tha se ka bërë punë sinjifikative në krye të dikasterit të drejtësisë dhe se beson se punët e nisura do të çohen para nga pasuesi i saj Ulsi Manja.

Gjonaj u shpreh se “Në katër vite kam dhënë maksimumin tim, edhe falë mbështetjes së një ekipi shumë të mirë, PS, dhe partnerëve ndërkombëtarë, ne kemi arritur rezultate që do të çohen përpara dhe nga kolegu Manja.

Unë besoj që një ministër me një mandat katër vjeçar është i mjaftueshëm. Unë i uroj shumë suksese zoti Manja, kam bindjen që do të çojë përpara arritjet e nisura”.