AKTUALITET, 2 Shtator 2021, 16:36

Qeveria e re/ Ylli Rakipi: Ka fytyrën e Ramës, pa ndryshime thelbërore, vetëm Ballës i preu "flatrat". Muç Nano: Jam i zhgënjyer!

Qeveria e re/ Ylli Rakipi: Ka fytyrën e Ramës, pa ndryshime


Analistët Ylli Rakipi dhe Mustafa Nano, kanë qenë të ftuar në MCN TV, për të komentuar kabinetin e ri, të shpallur ditën e sotme nga kryeministri Edi Rama.

Rakipi deklaroi se qeveria nuk ka ndryshime thelbësore, me përjashtim të ardhjes së Delina Ibrahimajt, të cilën e konsideroi pozitive, për shkak të shkollimit në perëndim dhe eksperiencës në disa institucione.

Rakipi tha se Rama tashmë ka luksin të bëjë ç'të dojë me qeverinë, për shkak edhe të dobësisë që shfaq opozita. Sipas Rakipit, një nga njerëzit që e pësoi më shumë sot, ishte Taulant Balla, të cilit kryeministri "i preu flatrat", duke mos i dhënë post ministror dhe duke i reduktuar detyrat në PS.

Ndërsa analisti Mustafa Nano tha se ishte i zhgënjyer nga emrat e zgjedhur prej Ramës dhe se e tremb fakti që Rama sot përmend mandatin e katërt, kur ende nuk ka nisur të tretin.

Pjesë nga biseda në studio:

Ylli Rakipi: Edi Rama ka luksin të bëjë cilën qeveri të dojë, me mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet në Shqipëri dhe me kundërshtarin që ka përballë. Ai i fitoi zgjedhjet për herë të tretë.  Qeveria e re, ka fytyrën e Edi Ramës. Shumica e ministrave janë të njëjtët.  Me disa përjashtime, ku një vajzë e re, Ibrahimaj, është ministrja e financave, e shkolluar jashtë gjatë të gjithë jetës. Por, është përsëri qeveria Rama që do të vijojë për shkak të mandatit që ka marrë. Pra, ne kemi Edi Ramën numër tre, jo ndryshime thelbësore. Ai thotë do të qeveris më mirë, të shohim. 

Kjo që tha Muçi ndodhi me Taulant Ballën. Duke menduar se Taulanti i kishte rritur flatrat, ai ja preu, e uli dhe e vuri në vendin e duhur. E la gati pa punë Taulant Ballën. Ai ka luksin të bëjë çfarë të dojë në këtë vend tani, sepse opozita përballë Ramës është mjaft e dobët. Në PD, po përpiqen me të gjtiha mënyrat, si të kenë poste në opozitë. Nuk pyesin më për pushtetin, por si të kenë poste në opozitë. 

Fjalimi i Ramës, ishte filozofia e Ramës. Si prift e bëri. Filozofia e Ramës në këto 20 e ca vjet. E pe si ishin strukur sot, garda e vjetër e PS? Ishte tulatur aty dhe priste me ankth. Ato reforma që PD nuk i bën dot, Rama i bën me urdhër, të hedh vështrimin. Ndërsa për Arben Ahmetajn, kuptohet që ai do të ekzekutojë mbledhjet aty. Rama del si lider dhe me këta ndërkombëtaret, Arbeni i shkretë do t’i firmosë ato letrat. 

Mustafa Nano: Edhe unë mendoj si Ylli dhe shumë të tjerë. Më duket si vijimësi, janë të njëjtët njerëz. Kam menduar se Rama, duke qenë njeriu më i fuqishëm ne vend, ai ka patur mundësi ta shpikte vetëveten. Promovimin e njerëzve e ka bërë si më parë. Me kaq pushtet sa ka, ai mund të bëjë cfarë të dojë. Mund të vendosë dhe shitësin e mishit në Surrel si ministër. Por, ai ka preferuar të qeverisë me të njëjtët njerëz dhe me të njëjtën frymë. Rama mund t’i flakë njerëzit si bisht cigareje. Fjala vjen, Ahmetaj, po të ketë rrethana të tjera, mund ta flakë. Nuk është se ka principe apo reforma të mëdha në kokë. Jam pak i zhgënjyer, sepse prisja ta rishpikte veten. Ai flet për mandatin e katër dhe mua më kall datën, fakti që ai e çon në mendje të rrijë një mandat të katërt. Nuk më pëlqen.

/TPZ.al/ 

LEXO EDHE:

https://www.tpz.al/2021/09/02/kabineti-rama-3-kryeministri-publikon-zyrtarisht-emrat-e-ministrave-te-rinj/

https://www.tpz.al/2021/09/02/dite-e-hidhur-per-taulant-ballen-rama-nuk-i-jep-asnje-ministri-i-redukton-kompetencat-duke-e-lene-thuajse-pa-pune/