AKTUALITET, 4 November 2026, 12:23

Shqipëria dhe Mali i Zi kërkojnë mburojën e NATO-s ndaj dezinformimit rus

Shqipëria dhe Mali i Zi kërkojnë mburojën e NATO-s ndaj

Shqipëria dhe Mali i Zi po kërkojnë mbështetje më të madhe nga NATO për t’u përballur me fushatat e dezinformimit dhe ndërhyrjet hibride që, sipas autoriteteve të tyre, lidhen me Rusinë dhe synojnë destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në intervista të veçanta për Politico-n, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe homologu i tij malazez, Dragan Krapović, kërkuan angazhim më aktiv të Aleancës, përfshirë dërgimin e ekipeve të specializuara për identifikimin dhe kundërshtimin e operacioneve të ndikimit në internet.

“Rusia zhvillon vazhdimisht fushata informative që shfrytëzojnë dobësitë e shoqërisë malazeze dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Krapović.

Nufi kërkoi që NATO të jetë më aktive në identifikimin e aktorëve keqdashës në internet dhe në krijimin e protokolleve të përbashkëta të reagimit.

Sipas tij, Shqipëria ka regjistruar gjatë vitit të fundit një shtim të fushatave në rrjetet sociale që nxisin urrejtje dhe zemërim.

“Kemi parë organizata të lidhura në mënyrë të tërthortë me Rusinë dhe ndërveprimet e tyre në internet”, tha ministri shqiptar.

NATO shqyrton mbështetje të re

Aleanca ka krijuar që prej vitit 2018 mekanizma reagimi ndaj kërcënimeve hibride, përmes ekipeve të ekspertëve që ndihmojnë vendet anëtare në monitorimin e rreziqeve dhe koordinimin e përgjigjeve.

NATO ka dërguar më parë ekipe të tilla në Mal të Zi në vitin 2019 dhe në Shqipëri në vitin 2022, pas sulmit kibernetik iranian ndaj sistemeve qeveritare.

Tre diplomatë të NATO-s i thanë POLITICO se aleatët do të ishin të hapur për shqyrtimin e kërkesave të reja, por paralajmëruan se mbështetja nuk duhet të përdoret për qëllime të brendshme politike.

 
Një zyrtar i Aleancës konfirmoi se NATO mund të ofrojë ndihmë shtesë nëse kërkohet.

Shqetësimet vijnë në një periudhë të rëndësishme për të dy vendet, ndërsa Mali i Zi synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2028 dhe Shqipëria deri në fund të dekadës.

 
Sipas një sondazhi të NATO-s të cituar nga Politico, 95% e shqiptarëve mbështesin qëndrimin në Aleancë, krahasuar me vetëm 52% të qytetarëve të Malit të Zi.