BOTA, 25 July 2026, 10:56

Shpërthim pranë gazetares gjatë raportimit live nga zjarret në Francë, ndërpritet transmetimi (VIDEO)

Një ekip televiziv i rrjetit francez M6 ka përjetuar momente paniku gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë nga zjarret masive në zonën Cap-Ferret, pranë Bordeaux, pasi një bombol gazi shpërtheu vetëm pak metra larg gazetares.

Ngjarja dramatike ndodhi teksa gazetarja po raportonte për situatën kritike të zjarreve që kanë përfshirë rajonin e Gironde. Flakët arritën deri te një bombol gazi e braktisur, e cila shpërtheu papritur duke shkaktuar një re të madhe tymi dhe një valë të fuqishme goditëse.

Kamera ka regjistruar momentin e shpërthimit, ndërsa transmetimi u ndërpre menjëherë për të garantuar sigurinë e ekipit televiziv. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.

Pamjet e shpërthimit tregojnë rrezikun ekstrem me të cilin përballen jo vetëm zjarrfikësit që po luftojnë me flakët, por edhe gazetarët që raportojnë nga zonat pranë vatrave aktive të zjarrit.

Ndërkohë, situata në jugperëndim të Francës vijon të mbetet kritike. Zjarret masive janë ende jashtë kontrollit dhe deri tani kanë përfshirë më shumë se 190 mijë hektarë pyje.

Temperaturat e larta dhe erërat e forta po e bëjnë edhe më të vështirë ndërhyrjen e mbi 2 mijë zjarrfikësve që po punojnë për frenimin e flakëve.

Autoritetet franceze kanë vijuar ndërkohë evakuimet parandaluese, duke larguar mbi 36 mijë banorë dhe turistë nga zonat më të rrezikuara nga përhapja e zjarreve.