BOTA, 25 July 2026, 10:42

Vrasja makabre e gazetarit italian, arrestohet 26-vjeçari i dyshuar

12.jpg

Policia italiane ka ndaluar një person të dyshuar për vrasjen e gazetarit nga Salerno, Luigi “Luca” Esposito, trupi gjysmë i djegur i të cilit u gjet gjatë natës mes 18 dhe 19 korrikut në një zonë rurale në periferi të Ebolit.

Sipas autoriteteve italiane, i dyshuari është një 26-vjeçar me origjinë tuniziane, i cili u lokalizua gjatë natës në një ndërtesë të braktisur, jo shumë larg vendit ku u zbulua trupi i gazetarit.

Karabinierët e Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Salernos arritën të identifikonin të dyshuarin përmes analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë dhe krahasimit të tyre me të dhënat e telefonave celularë të mbledhura gjatë hetimeve.

Sipas hetimeve paraprake, Luigi Esposito dyshohet se ishte ende gjallë, megjithëse në gjendje agonie për shkak të plagëve të marra, në momentin kur trupit të tij iu vu zjarri.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar se gazetari ishte dhunuar rëndë, me dyshimet se mund të jetë goditur edhe me një send të fortë. Në fytyrën e viktimës janë konstatuar shenja të rënda dhune, ndërsa arma e përdorur në sulm dhe telefoni celular i gazetarit ende nuk janë gjetur.

Sipas ekspertëve, shkaku i vdekjes është përcaktuar si asfiksi, ndërsa hetuesit dyshojnë se Esposito është mbytur. Analizat kanë konfirmuar gjithashtu praninë e tymit në rrugët e frymëmarrjes, çka tregon se ai ishte ende gjallë kur u përfshi nga flakët.

Mary Esposito, mike e gazetarit të ndjerë, ka deklaruar se pret me ankth zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Po pres me ankth lajme të sigurta. Në fillim përpiqesh të reagosh, por tani po e kuptoj gjithnjë e më shumë atë që ka ndodhur. Nuk është e lehtë ta pranosh gjithë këtë.

Luca nuk e meritonte të trajtohej në këtë mënyrë, për shkak të njeriut të mrekullueshëm që ishte. Kam besim në punën që po bën prokurori Cantone. Herët a vonë, e vërteta duhet të dalë në dritë”, u shpreh ajo.

Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të vrasjes vijojnë, ndërsa autoritetet italiane po punojnë për të mbledhur të gjitha provat e nevojshme.