TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Autoritetet franceze kanë aktivizuar një plan evakuimi me përmasa të paprecedenta në gadishullin Cap Ferret, në jugperëndim të vendit, ndërsa zjarret që kanë përfshirë rajonin vazhdojnë të përhapen me shpejtësi.
Sipas autoriteteve, flakët kanë djegur tashmë mbi 125 mijë hektarë sipërfaqe, një territor më i madh se ai i Parisit, ndërsa gjatë dy ditëve të fundit janë evakuuar rreth 44 mijë banorë dhe turistë.
Guvernatorja e rajonit Gironde, Sophie Brocas, bëri të ditur se operacioni i evakuimit po zhvillohet në mënyrë të organizuar. Ajo shpjegoi se qytetarët u njoftuan përmes mesazheve emergjente të dërguara në telefonat celularë, duke u kërkuar të largoheshin menjëherë nga zonat e rrezikuara.
Sipas saj, njoftimet u dërguan sipas sektorëve dhe fshatrave për të shmangur bllokimin e trafikut, ndërsa banorët u orientuan të përdorin rrugën provinciale D106, e vetmja dalje rrugore nga gadishulli.
Për personat që nuk kishin mjete transporti, autoritetet aktivizuan edhe evakuimin nga deti. Deri më tani, sipas bashkisë së Arcachon, më shumë se 800 persona janë larguar me anije nga Cap Ferret, ndërsa qindra të tjerë kanë mbërritur në skelë me bagazhet e tyre.
Këshilltari bashkiak i Cap Ferret, David Laforgue, deklaroi se procesi i evakuimit është zhvilluar pa probleme, duke theksuar se autoritetet kishin organizuar një simulim të ngjashëm në vitin 2025, pas zjarreve shkatërruese të vitit 2022. Plani i evakuimit, i miratuar në korrik të vitit 2023, parashikon që prioritet t’u jepet personave më të cenueshëm dhe, në rast se rruga D106 bllokohet nga flakët, të aktivizohet evakuimi masiv përmes detit për të shmangur izolimin e banorëve në gadishull.
Gjatë sezonit veror, Cap Ferret pret deri në 150 mijë persona, çka e bën operacionin një sfidë të madhe për autoritetet franceze.
Sipas planit të emergjencës, në rast nevoje mund të angazhohen të paktën 27 anije pasagjerësh dhe 33 autobusë për transportimin e të evakuuarve drejt qendrave të pritjes në Arcachon, me kapacitet për të larguar rreth 12 mijë persona gjatë 24 orëve të para dhe deri në 14 mijë persona çdo ditë pasuese.