TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mbi 220 mijë persona janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre në jugperëndim të Francës dhe në qendër të Spanjës, ndërsa zjarret masive pyjore vijojnë të përhapen me ritme të shpejta dhe mbeten jashtë kontrollit.
Bilanci i të evakuuarve është rritur ndjeshëm pasi vetëm gjatë natës më shumë se 60 mijë banorë u larguan nga zonat pranë Bordeaux, në jugperëndim të Francës. Përkeqësimi i situatës ka detyruar autoritetet spanjolle të shpallin gjendjen e emergjencës kombëtare, ndërsa në Francë është urdhëruar evakuimi i plotë i disa zonave të rrezikuara, si nga toka ashtu edhe nga deti.
Në gadishullin Cap Ferret, pranë Bordeaux, autoritetet kanë organizuar evakuime fshat më fshat, ndërsa flakët vazhdojnë të avancojnë, raportojnë BBC dhe The Guardian.
Në departamentin e Girondës janë evakuuar komunat Saint-Médard-en-Jalles, me rreth 33 mijë banorë, Saint-Jean d’Illac me 9,600 banorë, Martignas-sur-Jalles me 8 mijë banorë dhe Saint-Aubin de Médoc me 7,800 banorë, të gjitha pranë ose brenda zonës metropolitane të Bordeaux.
Sipas prefekturës lokale, zjarri, i cili shpërtheu në veri të pellgut të Arcachon, ka përfshirë rreth 19 mijë hektarë tokë dhe ka shkatërruar mbi 100 ndërtesa vetëm gjatë tre ditëve të fundit.
Autoritetet vijojnë operacionet intensive për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa temperaturat e larta dhe kushtet e pafavorshme atmosferike po e bëjnë edhe më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.