BOTA, 24 July 2026, 21:29

Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare shkarkohet pas akuzave për abuzim seksual

11.PNG

Shtetet anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) kanë votuar për shkarkimin e prokurorit Karim Khan, pas akuzave për sjellje të pahijshme seksuale. Vendimi vjen në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump po shton presionin ndaj Gjykatës.

Shtetet anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) votuan të premten për shkarkimin e Karim Khan nga posti i prokurorit, pas akuzave për sjellje të pahijshme seksuale, raportojnë agjencitë AP, Reuters dhe AFP.

Karim Khan, avokat britanik 56-vjeçar, është akuzuar për sjellje të pahijshme seksuale ndaj një ndihmëseje të tij. Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Në qershor, Khan u pezullua përkohësisht nga detyra, pasi një raport i komitetit ekzekutiv të organit mbikëqyrës të Gjykatës arriti në përfundimin se kishte kryer "sjellje të rëndë të papërshtatshme".

Në votimin e zhvilluar, 82 nga 125 shtetet anëtare votuan pro shkarkimit të tij, 13 votuan kundër, ndërsa 15 shtete abstenuan.

Khan u bë i njohur në arenën ndërkombëtare gjatë vitit 2024, kur kërkoi dhe siguroi lëshimin e urdhër-arresteve ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, lidhur me luftën në Gaza. Ai kërkoi gjithashtu urdhër-arreste edhe ndaj disa drejtuesve të Hamasit, të cilët ndërkohë janë vrarë. Hamasi kreu sulmet terroriste të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.

Pavarësisht shkarkimit të Khanit, të gjitha urdhër-arrestet aktive të Gjykatës Penale Ndërkombëtare mbeten në fuqi, pasi vetëm gjyqtarët e GJPN-së kanë kompetencën për t'i tërhequr ato.

Reagimet

Kenneth Roth, ish-drejtor ekzekutiv i Human Rights Watch dhe aktualisht profesor i ftuar në Universitetin Princeton, reagoi në rrjetin social X, duke deklaruar se shtetet anëtare të GJPN-së "bënë gjënë e duhur" me shkarkimin e Karim Khan.

Nga ana tjetër, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, e kritikoi ashpër ish-prokurorin.

"Khan mendoi se gjuetia e tij politike e shtrigave kundër Izraelit dhe urdhër-arrestet skandaloze do ta largonin vëmendjen nga akuzat serioze për sjellje të pahijshme seksuale. Ai gaboi", u shpreh Danon në një deklaratë të publikuar në X.

Shkarkimi vjen mes presionit të administratës Trump ndaj GJPN-së

Vendimi për shkarkimin e Karim Khan vjen në një periudhë kur administrata e presidentit amerikan Donald Trump po kërkon të dobësojë dhe të çmontojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

GJPN-ja, me seli në Hagë të Holandës, ka mandat të hetojë dhe të ndjekë penalisht individët e dyshuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte, gjenocid dhe krimin e agresionit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi së fundmi se Shtetet e Bashkuara kanë nisur një "fushatë të gjerë për të çmontuar kërcënimin që Gjykata Penale Ndërkombëtare paraqet ndaj sovranitetit amerikan".

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se vendet që përfitojnë nga mbrojtja e sigurisë së SHBA-së duhet të refuzojnë autoritetin që GJPN pretendon se ka për të ndjekur penalisht zyrtarët dhe ushtarakët amerikanë.

Po ashtu, Departamenti i Shtetit po shqyrton mundësinë e heqjes së vizave, vendosjen e ndalimeve të udhëtimit për personelin e GJPN-së, si edhe sanksione të tjera ndaj Gjykatës dhe organizatave të lidhura me të.