AKTUALITET, 29 Prill 2020, 22:46

Shpërthen Hashim Thaçi: Nuk e solla unë Pacollin. Jam në shtëpi, le të vijë këtu Albin Kurti!

Shpërthen Hashim Thaçi: Nuk e solla unë Pacollin. Jam në

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpërthyer në akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit.

Në një intervistë për "RTV Dukagjini", Thaçi ka deklaruar se nuk e ka sjellë ai Behgjet Pacollin në Kosovë dhe se Albin Kurti, sëbashku me ministrin e brendshëm, mund të shkojnë në shtëpinë e tij kur të duan.

Që nga çlirimi i Kosovës e deri dje kur kam dalë e hyrë në relacionin Kosovë-Shqipëri kam hyrë në procedurat e njëjta tash e 20 vjet. Ndërsa për interesimin e Sveçlës dhe Kurtit, si ndërmarrje krim*inale që është shndërruar, dhe që u intereson lokacioni im, unë jam në shtëpi.

Edhe sa i përket masave të tjera, duhet të mendojnë që të mos krijojnë konfuzion, shpifje, marrëzira dhe të mos kërcënojnë njerëz të politikës e as deputetë e kësaj radhe as zotin Pacolli që janë duke e intimiduar. Lokacioni im është në shtëpi. Për ministrin dhe shefin e tij dhe gjithë ndërmarrjen krim*inale të tyre.

Le të vijë bashkë me Kurtin. Është shpifje tjetër ordinere (kthimi me Pacollin) por edhe kërcënim e shantazh që i bëhet deputetëve e të tjerëve në Kosovë në këtë kohë të këtyre njerëzve të çoroditur që të përngjan në njerëz të viteve të 70-a të sistemeve moniste dhe ndjekjeve politike. Ftoj të gjithë për urtësi e bashkëpunim”, ka deklaruar Thaçi.

Më herët, Xhelal Sveçla, që aktualisht është në detyrë si Ministër i Brendshëm në Kosovë, ka ngritur pikëpyetje nëse Behgjet Pacolli është transportuar nga Shqipëria në Kosovë, nga Presidenti Hashim Thaçi.

Ministri tha se, në rast se Pacolli ka qenë në mjetin e Presidentit dhe ka hyrë në Kosovë, ai duhet t’u nënshtrohet rregullave të karantinimit.

“Mbrëmë vonë jam informuar se presidneti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kaluar kufirin rreth orës 18:00 dhe është kthyer në ora 19:00. Presidenti është ulur përpara përkundër rregullave të sigurisë, ndërsa prapa nuk kanë mundur të shohin nëse është dikush, për shkak të xhamave të zi, ndërsa është shoqëruar me vetëm një veturë në të cilën ka qenë vetëm shoferi”, tha Sveçla gjatë konferencës për medie.

“Nëse vërtetohet që presidenti ka qenë i shoqëruar nga zotëri Pacolli, obligohet që t’i nënshtrohen rregullave të karantinimit, ose vet izolimit në linjë me historikun e shëndetit. Nisur nga kjo nëse me të vërtetë deputeti, Behgjet Pacolli ka qenë në veturën e presidentit Thaçi, atëherë ai me vetëdije të plotë i ka shkelur rregullat për karantinim ose vetizolim për të cilat ishte paralajmëruar edhe para nisjes për Kosovë”, tha Sveçla.

Sveçla gjithashtu kërkon nga Presidenti Thaçi, që të sqarojë se përse ai ka tejkaluar protokollin shtetëror.

“Ne i kërkojmë presidentit të vendit që të përgjigjet se pse ka vendosur të bëj tejkalimin e protokollit shtetëror, ndërsa zotëri Pacollit të lajmërohet menjëherë se ku është, përndryshe nëse shfaqet brenda territorit të Kosovës, në ndonjë moment të caktuar, atëherë policia e Kosovës është e detyruar të ndërmarr masat me legjislacionin në fuqi”, tha Sveçla.