AKTUALITET, 29 Prill 2020, 22:27

Kosova 6 mijë vende te reja pune në krizën e COVID, Shqipëria 66 mijë më pak/ Bardhi: Qeveria Rama dështake dhe e paaftë

Kosova 6 mijë vende te reja pune në krizën e COVID,

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike. Gazmend Bardhi, duke marrë si shembull Kosovën shkruan se ‘Kosova ka 6 mijë vende të reja punë në COVID, ndërsa Shqipëria numëron 66 mijë më pak, duke e cilësuar si të paaftë qeverinë Rama.

Postimi i Bardhit

‘Kosova na tregon sa e paaftë, e korruptuar dhe dështake është qeveria e Edi Ramës. Në thelb të veprimeve të saj në këto 2 muaj nuk ka qenë mirëqenia e qytetarit, por ajo e klientëve dhe oligarkëve.

Ndryshimi thelbësor është se Kosova sot ka 6 mijë vende të reja punë më shumë sesa para krizës së COVID-it. Shqipëria ka pranuar zyrtarisht si të larguar apo pezulluar nga puna 66 mijë qytetarë.

Çfarë e shpjegon këtë ndryshim kaq të madh?

Përgjigja është fare e thjeshtë: Kosova zbatoi një paketë ekonomike që mbron vendet e punës, ekonominë familjare dhe ekonominë kombëtare, pothuajse një paketë të njëjtë me atë që propozoi Partia Demokratike që në fillim të krizës COVID.

• Kosova mbuloi shpenzimet e bizneseve për pagat mujore minimale.

• Subvencionoi për dy muaj gjysmën e qerasë për biznesin e vogël;

• Mbuloi vlerën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për dy muaj.

Shqipëria nuk bëri asnjë nga këto masa mbështetëse.

• Kosova jo vetëm ruajti vendet e punës që kishte, por i shtoi ato, duke nxitur kompanitë me bonuse prej 130 euro në muaj për çdo punëtor të regjistruar me kontratë të paktën 1 vit.

Ndryshimi është si nata me ditën. Në Kosovë qeveria vendosi të parin interesin e qytetarëve. Ndërsa në Shqipëri, Edi Rama vendosi të parin interesin e 10 oligarkëve. 66 mijë punonjës të larguar e të pezulluar dhe mbi 60 milionë euro për beton dhe tendera luksi e dëshmojnë këtë.

Paratë janë. Mjafton që Edi Rama të ndalë korrupsionin me tendera dhe të anullojë koncesionet korruptive. Qytetarët kanë nevojë për mbështetje, jo për propagandë e justifikime bajate të regjimit të facebook-ut.’