AKTUALITET, 9 Prill 2021, 11:37

Shoqata e transportit kërkesë qeverisë: Do të bojkotojmë zgjedhjet nëse nuk vaksinoni punonjësit tanë

Shoqata e transportit kërkesë qeverisë: Do të

Në në intervistë për Fax News, kryetar i shoqatës për transportin urban dhe inter-urban Dashnor Memaj u shpreh i revoltuar në neglizhimin që sektori i transportit publik ka pasur nga ana e qeverisë.

Ai kërkoi vaksinimin e punonjësve të sektorit publik duke argumentuar se kanë dërguar edhe letra publike ku shprehin vullnetin e tyre për vaksinim pasi janë më të rrezikuarit për t’u prekur nga virusi.

“Imagjinoni sesi mund të jenë punonjësit tanë të cilët janë të ekspozuar në maksimum. Duke qenë kështu e pamë të arsyeshme që edhe sektori i transportit publik të përfshihet në vaksinim. Ne u lamë jashtë vëmendjes së qeverisë dhe nuk u mor asnjë masë për vaksinimin tonë.

Kemi dërguar letra publike ku kërkojmë të vaksinohemi sepse sektori ynë është më i rrezikuari. Operatorët e transportit shprehin shqetësimin se janë të ekspozuar ndaj virusit dhe kërkojnë të vaksinohen.”- u shpreh kreu i shoqatës.

Në lidhje me sensibilizimin nga ana e qytetarëve Memaj u shpreh se deri më tani qytetarët janë munduar të ruajnë rregullat por ka edhe individë të cilët i neglizhojnë rregullat.

“Njerëzit janë sensibilizuar dhe mundohen të ruajnë distancën por ka edhe qytetarë të cilët nuk i respektojnë këto masa.”- tha Memaj.

Ndërkaq për situatën ekonomike Memaj tha se ata ishin në një situatë të vështirë dhe se nëse nuk plotësoheshin kushtet e tyre ekonomike apo kushtet për vaksinim, atëherë ky sektor që përfaqëson mbi 14 mijë individë të punësuar do të bojkotojë zgjedhjet që do të mbahen më 25 Prill.

“Situata është çdo ditë e më e vështirë sepse të ardhurat janë në rënie për çdo kompani. Ne përfaqësojmë mbi 14 000 individë të cilët janë të punësuar në këtë sektor dhe jemi taksapagues të rregullt. Kërkesat tona ekonomike janë oksigjen për ne.

Nuk po plotësohet asnjë kusht i joni dhe nuk kemi vëmendje as nga qeveria dhe as nga opozita. Ka pasur largime nga puna në shërbimin e transportit publik sepse kjo gjendje ka ndikuar në sektorin tonë.

Nëse kërkesat tona nuk merren parasysh ne do të bojkotojmë zgjedhjet që do të mbahen më 25 prill.”- përfundoi Memaj.