AKTUALITET, 9 Maj 2018, 19:54

Shkarkimi i Hajdarmatajt, reagon Ambasada Amerikane: Jemi gati të...

Pas shkarkimit të kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj nga e Kryprokurores Arta Marku, ka ardhur një reagim nga Ambasada Amerikane.

Në një reagim për News 24, Donald Lu, shprehet: Jemi gati të mbështesim një Prokurori që punon pa vonesa.

“Ky është një moment me rëndësi që Shqipëria të demonstrojë se hetimet me profil të lartë publik mund të ecin përpara pa ndërhyrje politike. Prokurorja e Përgjithshme thotë se ka emëruar Znj. Prela në mënyrë që çështjet me përparësi të përfundohen në mënyrë më të shpejtë dhe më të efektshme.

Jemi gati të mbështesim një prokurori që ka vullnetin dhe aftësinë të punojë për këto çështje të rëndësishme të krimit dhe korrupsionit në mënyrë të efektshme dhe pa vonesa”- shprehet ambasada e SHBA në Tiranë.

Hajdarmataj ishte duke hetuar dosjen "Tahiri". Shkarkimi i tij vjen vetëm një ditë pasi Hajdarmataj thirri për të dëshmuar shoferin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në lidhje me shkarkimin e papritur të Hajdarmatajt reaguan edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.