AKTUALITET, 17 Korrik 2020, 15:44

Shitja e shtëpive e pronave, ligji i ri i qeverisë për të kontrolluar “sekserët”. Ja kushtet që duhet të përmbushin agjentët imobiliarë


Të bësh rolin e ndërmjetësuesit në shitjen apo blerjen e shtëpive dhe pronave nuk do të jetë aspak një detyrë e lehtë.

Licencë, provim dy herë në vit dhe një varg kushtesh, që po ashtu duhet të përmbushen, duke filluar nga arsimi e deri te dëshmia e penalitetit, që duhet të jetë “e pastër”.

Qeveria ka hedhur për konsultim projektligjin “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”, në të cilin përcaktohen rregullat për ushtrimin e profesionit të agjentit imobiliar apo atë që njihet ndryshe si ndërmjetësues.

Në draftin me 33 nene përcaktohen të drejtat, detyrimet, masat disiplinore, rregullat e caktimit të tarifave, si dhe marrëdhëniet e ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme me të tretët.

Përfshirjae agjentëve imobiliarë në listën e profesioneve të lira, sipas relacionit që shoqëron nismën, është një hap më shumë në luftën për pastrimin e parave.

“Projektligji ka si objektiv kryesor: Të përcaktojë rregulla të thjeshtuara për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, si një profesion i lirë dhe i rregulluar në përmbushje të qëllimit për ndërmjetësimin e veprimeve juridike për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme ose të drejtave reale mbi to në përputhje me legjislacionin në fuqi. Të vendoset një kornizë ligjore për përparimin e luftës për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në sektorin e pasurive të paluajtshme”.

Agjentët do të jenë të detyruar që në çdo herë kur dyshojnë për pastrim parash, të raportojnë pranë Ministrisë së Drejtësisë.

“Detyrimi për të raportuar nga ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme pranë strukturave përgjegjëse të autorizuar me ligj, në rast dyshimi për pastrim parash gjatë kryerjes së transaksioneve që lidhen me pasuritë e paluajtshme”, thuhet më tej në relacion.

LICENCIMI

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, agjentët imobiliarë nuk do të mundet më të ushtrojnë profesionin pa marrë më parë licencën.

Çdo person tjetër që nuk është licencuar për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme nuk lejohet: të ndërmjetësojë kryerjen e veprimeve juridike për kalimin e pasurive të paluajtshme ose i të drejtave reale mbi to si dhe të veprojë si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme, duke paraqitur fakte të rreme ose të pavërteta, me qëllim mashtrimin e publikut”, thuhet në ligjin e ri.

Nga ana tjetër, një nismë e tillë u heq mundësinë qytetarëve që veprojnë në mënyrë të pavarur. Ata do jenë të detyruar që kur do të duan të shesin apo të blejnë një pasuri, të kalojnë më parë nga zyra e ndërmjetësuesit.

TARIFAT

Përfshirja e ndërmjetësuesve apo ata që në gjuhën popullore etiketohen si “sekserë”, në listën e profesioneve të lira do të sjellë kontroll edhe mbi çmimet që aplikohen.

Sikundër veprohet me noterët, përmbaruesit etj., edhe në rastin e agjencive që ndërmjetësojnë shitblerjen e pasurive të paluajtshme do të ketë disa çmime referuese, të cilat nuk do të mund të tejkalohen.

“Në nenin 21 përcaktohen tarifat e ndërmjetësimit duke u dhënë mundësi palëve që me vullnetin e tyre të parashikojnë tarifat përkatëse. Në mungesë të këtij parashikimi nga palët, atëherë përcaktimi i tarifave të ndërmjetësimit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme do të bëhet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë”, specifikohet në relacion.

“PENALITETET PËR NDËRMJETËSUESIT QË DO TË GJENDEN NË SHKELJE”

Të ushtrosh detyrën e agjentit imobiliar nuk do të jetë e lehtë edhe për një arsye tjetër, që janë penalitetet në rast se do të konstatohen abuzime. Përveç masës paralajmëruese, ligji parashikon gjobë për ndërmjetësuesit nga 50 mijë lekë deri në 500 mijë lekë, pezullim nga detyra për një periudhë 1 deri në 5 vite deri edhe në heqje përfundimtare e licencës për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme./Panorama/